Franca në kaos, ja çfarë ndodh për shkak të protestave dhe grevave

Franca është përgatitur për t’u përballur me një çrregullim të madh në transportin publik për shkak të grevës, që e ka thirrur operatori hekurudhor SNCF, në shenjë proteste për planin e reformave të propozuar nga presidenti Emmanuel Macron dhe qeveria e tij.

Shërbimi higjienik dhe disa sektorë të energjitikës dhe të punësuarit në Air France, kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre, në siç e quajtën, “vala më e madhe e pakënaqësisë prej kur Macron fitoi zgjedhjet vitin e kaluar”.

“48 për qind të punonjësve në hekurudha, përfshirë 77 për qind të vozitësve, kanë paralajmëruar pjesëmarrjen e tyre në protestat e sotme”, thuhet në njoftimin e SNCF-së.

Protestat e së martës, të cilave mediat u dhanë epitetin ‘e marta e zezë”, janë fillimi i një serie të protestave të cilat do të mbahen dy herë në javë, përfundimisht me datën 28 qershor.

SNCF tha se orari i qarkullimit të trenave do të pësojë çrregullime dhe se vetëm njëri nga tre trenat që udhëtojnë në relacionin Francë-Gjermani dhe 75 për qind e trenave Eurostar, Paris-Londër do të jenë funksional.

Njëra nga reformat qeveritare përfshin pezullimin e statusit të veçantë të punonjësve hekurudhor e cila u garanton punë dhe pensionim të hershëm.