Greqi - Turqi, lufta afër, Tsipras: Nuk kërcënojmë por nuk trembemi

Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë arritur një tjetër pikë të lartë, ndërsa nga Athina bëhet thirrje për përmbajtje. Në mbledhjen e sotme të qeverisë greke, kryeministri Aleksis Tsipras ka thënë se Greqia nuk kërcënon askënd, por në të njëjtën kohë nuk i frikësohet askujt.

Deklarata vjen në një kohë kur mediat greke shkruajnë se një tjetër avion i forcës ajrore turke F-16 kaloi rreth orës 10:55 të mëngjesit te kësaj të marte mbi ishullin jugor të Egjeut, Farmakonis. Ushtria greke tha se shtatë avionë turq, katër prej të cilëve ishin të armatosur, shkelën të hënën hapësirën ajrore greke.

Ndërkohë kryeministri grek Aleksis Cipras është shprehur i gatshëm të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet me Shqipërinë, pa cenuar interesat kombëtare të Greqisë.

“Përpiqemi të zgjidhim mosmarrëveshjet me fqinjët, me Shqipërinë, Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë pa u tërhequr nga pozitat tona kombëtare dhe ndjenjat e përgjegjësisë kombëtare. Greqia si forcë stabiliteti dhe demokracie në rajon, është protagoniste e kësaj përpjekjeje për të siguruar një mjedis të fqinjësinë së mirë bashkëpunimi dhe respektimi.”