Sëpata është ngritur!

Rreth 18 vite më parë, vetëm pak kohë pasi kishte fituar karrigen e kryetarit të bashkisë, Edi Rama, u shfaq rrugëve të Tiranës me një sëpatë të madhe në dorë i ndjekur nga ato 2-3 kamera të televizioneve që ishin në atë kohë dhe dha një spektakël, që bëri bujë të madhe.

Qytetarët nuk ja mbathën me vrap duke thirrur, “i çmenduri-i çmenduri”, as policia e Fatos Nanos kryeministër në atë kohë, nuk e ndali dhe as nuk e akuzoi për “vandalizëm dhe barbarizëm”. Rama i nervozuar me një shtyllë elektriku që KESH nuk pranonte ta hiqte nga mesi i rrugës, vendosi të vërë vetë në vend “drejtësinë” dhe nisi ta presë me sëpatën e tij të madhe. Mediat u ekzaltuan e u eksituan, populli e duartrokiti, kurse KESH dhe policia e prokuroria nuk bën zë.

Shtylla e elektrikut që u rrëzua nga sëpata e Ramës, në fakt ishte simbol i rrumpallës, groteskut, kaosit dhe abuzimit,  e mbi të gjitha korrupsionit si sistem  që karakterizonte shtetin e qeverisur nga socialistët në ato vite. Por gjithashtu, ajo ishte e ligjshme edhe në absurditetin e saj; ishte pronë e KESH, pra pasuri e përbashkët.

Nëse do të zbatohej ligji siç ekziston i shkruar, Edi Ramën, në atë kohë duhej ta prangosnin ose të paktën ti nisnin procedim penal për prishje “të pronës së përbashkët”, për mbajtje dhe përdorim të armëve të ftohta në publik, për shkaktim paniku etj. Gjithashtu do duhej që të çohej te mjeku psikiatër, dhe pas një ekspertize profesionale, të vendosej nëse i plotësonte kushtet e stabilitetit mendor për të qenë ende në krye të një institucioni aq të rëndësishëm, si bashkia e kryeqytetit të Shqipërisë.

Asgjë nuk ndodhi nga këto. Përkundrazi, populli e duartrokiti, opozita në heshtje i dha të drejtë, kurse KESH nuk guxoi të rivinte në vend shtyllën elektrike. Ndodhi kështu, sepse Rama në atë kohë bëri një veprim që vërtet theu rregullat e shtetit, por nga ana tjetër ishte i drejtë.

Ju rikthyem kësaj histori, sepse aktualisht një sëpatë tjetër më e madhe dhe më e nervozuar po vërtitet mbi një shtyllë tjetër, këtë herë gjigante dhe e sofistikuar e cila nuk pengon thjesht qarkullimin në rrugë, apo punonjësit e bashkisë që të bëjnë ndonjë punim aty.

Është një “shtyllë” në formën e një skeme grabitqare, që këtë herë e kanë ngritur me shpejtësi një grusht njerëzish duke përdorur si argat vetë Edi Ramën; jua ka ngulur shqiptarëve mu aty ku nuk mban më; te mbijetesa.

Gurët dhe flakët e qytetarëve të Kukësit mbi banaqet e taksës (apo tarifës siç ka qejf ta quajë qeveria) te “Rruga e Kombit” mund të jenë vërtet të paligjshme dhe kundër rregullave të shtetit, por janë të DREJTA, njësoj si sëpata e Ramës 18 vite më parë mbi shtyllën e KESH.

Por në Kalimash “sëpata”, vetëm sa ju shfaq Edi Ramës dhe atyre që po e urdhërojnë!

Ishte vetëm një mesazh për tu thënë: Hapni sytë sa nuk është vonë, shikojeni që ekziston e vringëllin në ajër tani për tani; kuptojeni që po zmadhohet e mprihet çdo ditë në përpjesëtim të drejtë me rritjen e shtyllës së taksave, grabitjes, arrogancës e intimidimit, ku kryqëzoni pa ju dridhur qerpiku shqiptarët; kini frikë!

Nga ana tjetër është për të qeshur e më shumë për të qarë, që pas këtij procesi instiktiv vetëmbrojtës e mbijetese që po ju ndodh shumicës së shqiptarëve, dëgjon opozitën tu bëjë thirrje të përçartura për “mosbindje” ndaj taksave, apo akoma edhe më “vaj medet”, për përjashtimi të Ramës nga parlamenti!

Për çfarë mosbindje e kanë fjalën, kur kthetrat e taksave jua kanë futur te fatura e dritave dhe e ujit; te çelësi i dyqanit i cili mirë apo keq, të paktën i mban me bukë?!

Kur stadiumin, teatrin, qendrën e qytetit,  incerenatorin, kullat gjigante ku pastrohen para, tokat në bregdet e kudo ku kanë vlerë; i shembin, i ngrenë, i marrin e privatizojnë kur të duan e për çfarë të duan?!

Për çfarë “Ramë” e kanë fjalën, kur tashmë të gjithë e dinë se ai është vetëm një kukull në duart e 5-6 oligarkëve dhe ekzekutues “ligjor” i një skeme gjigante të pastrimit të parave të mafies së narko-trafikut dhe burimeve financiare të tjera të errëta nëpër botë?!   

Kuksianët që morën pjesë në revoltën e Kalimashit e kanë kuptuar më qartë se Basha e Kryemadhi në Tiranë, se “sëpata” që ata ekspozuan pak ditë më parë nuk zgjidh gjë duke “kërcënuar” kokën e Ramës si kryeministër, por vetëm duke prerë “shtyllën” që ushqen atë kokë. Po të bëhej fjalë për Ramën si individ, të jeni të sigurt se ai do të ishte tërhequr nga taksa siç bëri fillimisht, kur i mbahej fryma nga që zemrën që rreh për popullin, nuk e ka te zorra e trashë.

Por atë e komandojnë si një epruvetë që duhet të marrë pjesë deri në fund të eksperimentit dhe të mbajë “kavjen” nën kontroll. Prandaj edhe doli të nesërmen i detyruar, që sëpatës në ajër të qytetarëve ti kundërpërgjigjet me dhëmbët e shtetit dhe vazhdimësinë e skemës, duke rreshtuar rrugë e taksa të tjera për shqiptarët.  

Edi Rama vetë është i qartë, se për atë përfundimisht nuk ka më kthim pas; ai është në simbiozë me “shtyllën”  (e gjeti kur erdhi në pushtet, por e ktheu në sistem) së cilës i ngritën sëpatën kuksianët në Kalimash. Ata qëndrojnë ose bien bashkë; rrugë të mesme nuk ka. Këtë bën sikur nuk e kupton opozita dhe dihet, se përse...

Kurse populli duket se është më i kthjellëti në këtë situatë, pasi në mënyrë instiktive, për vetëmbrojtje e mbijetesë, po vë në zbatim Nenin 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili zbatohet për raste të jashtëzakonshme; “Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij… ose drejtpërsëdrejti”.

Ky nen është legjitimiteti i vringëllimës së sëpatës në Kalimash dhe i çdo “vandalizmi dhe barbarizmi” që do të ndodh me siguri, po vazhduan të besojnë, se shqiptarëve sa më shumë lëkurë tu rrjepësh, aq më shumë e ulin kokën!