Vidhen 30 mijë euro gjatë një grabitje më armë në Prizren

Në qytetin e Prizrenit, në mbrëmjen e së hënës raportohet se ka ndodhur një grabitje e rëndë ku nën kërcënimin e armës një banori i janë vjedhur 30 mijë euro para të gatshme.

Rastin për klankosova.tv e ka konfirmuar Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, ndërsa potencoi se të gjitha njësitet relevante janë duke hetuar intensivisht për të zbardhur detaje rreth kësaj grabitje.

”Në stacionin policor një ankues ka raportuar për një grabitje. Pastaj njësitet e nevojshme kanë dalë në vendin e ngjarjes. Për zbardhjen e kësaj vepre janë të angazhuar edhe hetues të tjerë rajonalë që në mënyrë intensive janë duke vazhduar hetimet”, është shprehur Gashi.

Ndërsa në lidhje me raportimet se viktima ishte detyruar që vet t’i dorëzonte të hollat tek grabitësit për shkak të kërcënimit me armë,  Zëdhënësi Gashi nuk ka konfirmuar dicka të tillë porse bëri të ditur që gjatë ditës do të dalin detaje të reja për të cilat do të njoftojë policia.