Një 'fake news' nga zyra e Ramës, përgjigjet Berisha: Prano kërkesat e popullit ose ...

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka hedhur poshtë me përbuzje, "gënjeshtrat bajate" siç i ka cilësuar, të kryeministrit Edi Rama, shpërndarë sot në rrjetet sociale, sipas të cilave, Berisha ka synuar të vendosë një taksë mbi 8 euro në Rrugën e Kombit.

Berisha me ahpërsi i ka drejtuar një apel Ramës, që ta heqë me urgjencë taksën-plaçkë të Rrugës së Kombit dhe jo vetëm atë o në të kundërt, e ka paralajmëruar, "kjo pranverë do të jetë fundi i tij".

"Të tromaksur nga revolta e qytetarëve të Kukësit, Hasit dhe Tropojës, jehona mbarëkombëtare dhe kombëtare e saj, Edi Rama ka mbushur poturet dhe kërkon të shpëtojë duke veshur xhaketën time, - shkruan Berisha në Fb. - Ai sot shpërndan në rrjetin e tij dhe nëpërmjet papagajve të tij, lajmin e rremë se ai vendosi taksën në Rrugën e Kombit pasi Berisha donte të vinte taksën 8.6 euro.

Me këtë rast duhet t’i them se gënjeshtrat e tij bajate vetëm sa e akuzojnë më rëndë.

Së pari, Berisha mund ta vendoste taksën së paku katër herë gjate 3 viteve, nga 2010 deri në 2013, por ai vendosi që ajo taksë kurrë të mos vihej përndryshe studimi që ai bëri do të shërbente vetëm për të gjetur mesataren që duhej paguar koncensionarit nga taksa e qarkullimit për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit, dhe kjo mesatare rezultonte, siç deklaroi edhe ministri i tij në parlament, 2 deri në 5 euro.

Me këtë rast i them Rames se je i pashpresë!

Prano urgjentisht kërkesat e opozitës; hiq me urgjencë ‘taksën plaçkë’ të Rrugës së Kombit, anullo menjëherë TVSH për biznesin e vogël, shtesën e tarifës së ujit, taksën e pronës, rikthe mbrojtjen ekonomike dhe ndihmën sociale për të mjerët që u preve kafshaten, përndryshe kjo pranverë do të jetë fundi yt i merituar. Revolta qytetare kundër taksave të larta do të përmbysë narkoshtetin tënd!"