PD: Rama të sqarojë pse mbron konçensionarin e Rrugës së Kombit kur duhet të mbrojë qytetarët

“Mbasi qeveria të kthejë përgjigje pse bën avokatin e konçensionarit, se pse nuk e përdor taksën e qarkullimit për ndërtim rrugësh dhe mirëmbajtje, atëherë qytetarët janë në të drejtën e tyre për të refuzuar për ta paguar këtë taksë.”

Ka qënë kjo deklarata e deputetes së PD, Jorida Tabaku, nga ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku së bashku me kolegë opozitarë kërkon prej tre ditësh, lirimin e protestuesve të arrestuar për revoltën në Rrugën e Kombit.

"Futin duart në xhepat e shqiptarëve me rritjen e taksave dhe rritjen e tarifave, - tha Tabaku për mediat. -  Ku kanë shkuar ato? Nuk është ndërtuar asnjë kilometër rrugë i vetëm, nuk është mirëmbajtur absolutisht asnjë kilometër rrugë i vetëm. Rruga e Kombit ka 5 vite që nuk mirëmbahet. Kërkon një buxhet minimal, vetëm 10 milionë euro në vit për t’u mirëmbajtur ndërkohë që këtë gjë nuk e ka bërë qeveria. Sot përsëri i gënjyen shqiptarët dhe thanë se mirëmbajtja e rrugëve kërkon një shumë jashtëzakonisht të lartë, stratosferike për buxhetin e shqiptarëve. Përsëri edhe Rama edhe Gjiknuri gënjyen duke thënë se ky buxhet është i papërballueshëm dhe duhet ta paguajnë shqiptarët.

Qytetarët e Kukësit dhe shqiptarët kanë kthyer përgjigje që tarifa e Rrugës së Kombit është e papërballueshme. Mbasi qeveria të kthejë përgjigje pse bën avokatin e konçensionarit, se pse nuk e përdor taksën e qarkullimit për ndërtim rrugësh dhe mirëmbajtje, atëhërë qytetarët janë në të drejtën e tyre për ta refuzuar për ta paguar këtë taksë.

Kjo taksë është antikushtetuese, është antiligjore. Qeveria duhet të mbrojë interesin  e qytetarëve dhe jo interesin e koncensionarit. Ka ikur dita kur Rama do të vazhdojë të vjedhë të grabisë qytetarët. Qytetarët sot këtu të Tiranës, të Kukësit e çdo qyteti janë në mbrojtje të interesit të tyre, në mbrojtje të financave të tyre," theksoi deputetja.