Çfarë ndodhi dy vite më parë?! Juventusi ka kujtime të hidhura nga arbitri turk

Kundërshtari i sotëm për Juventusit është Reali i Madridit. Spanjollët, në memorien bardhezi, nuk paraqesin një kujtim të lumtur për sa i përket edicionit të kaluar të Champions-it.

Duke lënë mënjanë finalen e Kardifit, edhe arbitri i sfidës së sotme në orën 20:45 gjithashtu është një tjetër imazh që juventinët nuk e kujtojnë me kënaqësi. Në fakt, ndeshjen në “Allianz Stadium” do ta arbitrojë Cuneyt Cakir.

Bilbili turk ishte drejtuesi i finales së Berlinit në vitin 2015, kur Juventusi përballej me Barcelonën. Atë ndeshje “Zonja” e humbi 1-3, teksa torinzët nga takimi i sotëm do të tentojnë të ndryshojnë ecurinë me gjyqtarin turk.

Në tetë rastet që ka arbitruar Realin, ai i ka “dhuruar” katër fitore, dy barazime dhe dy humbje ndërsa për bardhezintë në dy precedentë regjistron një humbje dhe një barazim.

Cakir është caktuar për këtë ndeshje dhe do t’i ketë për ndihmës Bahattin Duran, Tarik Ongun, Huseyin Gocek, Baris Simsek, ndërsa Mustafa Eyisoy do të jetë gjyqtar i katërt.