Ky është fakti që e bën Juventusin të besojë se mund ta eliminojë Real Madridin

Juventus-Real Madrid pa dyshim do të jetë su0per ndeshja e çerekfinaleve në Champions League.

Kjo përplasje do të jetë përsëritje e finales së vitit të kaluar në Cardiff, ku ‘Los Blancos’ fitoi trofeun e 12-të duke e mundur 4-1 ‘Zonjën e Vjetër’, që nuk e ka fituar këtë trofe që nga viti 1996.

Goli i bukur i Mandzukic në fund kishte vlerë zero, sepse Ronaldo me dy gola, Casemiro dhe Asensio me nga një, shënuan për të bërë historinë te Real Madrid.

Megjithatë, sezoni i ri na sjellë një mundësi të re për të parë spektakël ndërmjet dy gjigantëve të futbollit evropian. Juventus do të pres Real Madridin të martën (20:45), ndërsa ndeshjet e kthimit në ‘Santiago Bernabeu’ luhet më 11 prill.

Këto dy klube në këtë garë janë takuar 18 herë, ku të dy skuadrat kanë nga tetë fitore, dhe dy barazime. Është interesante të theksohet se Real Madrid në eliminimet direkte nuk ka kaluar mirë me Juventusin, skuadër e cila jo pak herë rrëzoi nga kjo garë kampionët aktual të Europës.

Reali kishte arritur të festonte në finalet e vitit 1998 dhe 2017, kur për kundërshtar kishte Juventusin. Madje në finalen e parë kishte thyer “mallkimin” duke fituar këtë titull pas plot 32 viteve.

Në anën tjetër, Juventusi qëndron më mirë në përballjet me dy ndeshje. Kampionët e Italisë kanë arritur të eliminojnë Realin katër herë nga gjashtë përballjet me këtë sistem, madje klubi nga Torino vjen me fitore nga katër përballjet e fundit, gjë që mund të jetë shqetësuese për ‘Los Blancos’.

Hera e fundit që Real Madrid kishte eliminuar Juven me dy ndeshje ishte në vitin 1987. Por, italianët arritën të kalojnë tutje në çerekfinalen e vitit 1996, gjysmëfinalen e vitit 2003, 1/8 e finales së vitit 2005, dhe së fundi në gjysmëfinalen e vitit 2015.