FOTO/ Stallone: Schwarzeneggeri do të kthehet edhe më i fortë, por nuk heq dorë nga purot

Zëdhënësi i Arnold Schwarzeneggerit ka konfirmuar se aktori legjendar është në gjendje të qëndrueshme, pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjike në zemër.

Ndërsa miku i tij prej kohësh, Sylvester Stallone, është ndër personat e afërm të aktorit 70-vjeçar, i cili i ka uruar atij shërim të shpejtë.

Sly ka thënë se Arnoldi do ta tejkalojë problemin shëndetësor dhe do të kthehet akoma më i madh dhe më i shëndetshëm.

Por 71-vjeçari dyshon se miku i tij nuk do të heqë dorë nga cigaret, shprehi të cilën e kanë të përbashkët.

“Nga disa gjëra nuk mund të heqësh dorë, purot dhe frymëmarrja”, citon TMZ fjalët e Stallones.

“Ai është shumë mirë. Është një burrë i guximshëm”, ka thënë më tej Stallone duke shtuar, se dyshon që Schwarzenegger nuk do ta lë duhanin, pasi të shërohet.

Në javën që lamë pas, Arnoldi iu nënshtrua me urgjencë një ndërhyrje kirurgjike në zemër. Ai ndodhej në qendrën mjekësore Cedars-Sinai të enjten për ndërrimin e një valvule përmes kateterit. Mirëpo, procedura u shoqërua me komplikime dhe mjekët vendosën, që t’ia hapnin zemrën.

Kjo ishte hera e katërt që Schwarzenegger është operuar në zemër, ndërsa ai ka vazhduar t’i shijojë purot e tij përkundër rrezikut për sëmundje të zemrës.

Zëdhënësi i tij, Daniel Ketchell, konfirmoi përmes Twitterit të premten se aktori dhe ish-guvernatori i Kalifornisë ishte zgjuar dhe ishte në gjendje stabile shëndetësore. Ndërsa fjalët e tij të para pas zgjimit nga anestezia e përgjithshëm ishin ato nga filmat e tij: “U ktheva”.