Papa mban Meshën e Pashkëve: Zoti ynë është Zot i të papriturave!

Papa Françesku kremtoi sot Meshën e ditës së Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit duke nënvizuar: “Zoti ynë është Zot i të papriturave." 

"Krishti u ngjall", ky qe kumti i ditës së Pashkëve, që Papa Françesku e kremtoi gjatë Meshës në Sheshin e Shën Pjetrit të ndriçuar nga dielli.

Papa tha se "kumtet e Zotit janë gjithnjë të papritura, sepse Zoti ynë është Zoti i surprizave. E kështu të mrekullon që nga zanafilla e shëlbimit, që nga ati ynë, Abrahami. “Epo shko, lërë, largohu nga trojet tuaja e shko!”. E gjithnjë ndeshemi me një të papritur. Të papriturat vijnë njëra pas tjetrës. Pikërisht kur ti nuk i pret!"

Fjala e dytë e Papës qe "nxitimi". "Të papriturat e Zotit na vënë për rrugë menjëherë" - kujtoi Françesku dhe solli shembullin e Pjetrit e të Gjonit, e, përpara tyre, të barinjve Natën e Krishtlindjes, të Samaritanes, pas takimit me Jezusin, të Andreut, që i thotë Pjetrit: “E gjetëm Mesinë”. Të gjithë nxitojnë  për ta parë me sytë e tyre Kjo ndodh edhe sot. Të papriturat shkaktojnë gjithnjë nxitim. Po në Ungjill është dikush që pret, me dashuri.

E së fundi, pyetja e Papës qe: "Po unë? A e kam zemrën të hapur për të papriturat e Zotit, a jam i aftë të rend me nxitim, duke përsëritur: “Nesër do të shikoj, nesër, nesër…? Çfarë më thotë mua e papritura?" dhe përfundoi me fjalët:  “Përballë faktit të papritur të kumtimit e të vrapit, vjen pyetja: “ E unë, sot, në këto Pashkë 2018, unë, çfarë do të bëj? Ti... çfarë?"