A do të takohet për pashkë Rama me Tsipras pas takimit kokë më kokë me Erdogan??

Para se Rama të bënte vizitën në Stamboll të gjithë ishin pothuajse të sigurt se marrëveshja e detit ishte një “fakt i kryer”. Pas vizitës në Stamboll dhe takimit të Ramës “kokë më kokë” me Erdogan, Rama më shumë dhe Bushati më pak kanë lënë të kuptohet se marrëveshja mund edhe mos të pagëzohet për pashkë në Korçë në takimin Tsipras-Rama, madje as takimi mund të mos kryhet.

Shtrohet pyetja: Mos vallë përsëri “faktori i tretë” nuk është i bindur se marrëveshja që ka gatuar Bushati me Kotziasin nuk është ajo që do të realizonte interesat e tij? Apo e gjithë kjo ishte lojë? Gjasat duken se “faktori i tretë” është i pakënaqur me marrëveshjen e arritur ose kishte pasur bindjen se palët nuk do të mund të arrinin marrëveshjen dhe tani që ajo është bërë “fakt i kryer’ ai shprehet kundër. Rama duhet pyetur për këtë çështje dhe me siguri do të vijë dita kur kjo pyetje do të merrte përgjigje.

Nëse takimi Rama-Tsipras nuk do të kryhet, gjasat janë që marrëveshja nuk i ka plotësuar interesat e “faktorit të tretë”! Kurse takimi Rama-Tsipras pa miratimin e marrëveshjes ka pak gjasa të ndodhë për të thënë që nuk do të pranohej nga Tsipras që të vinte në Korçë thjesht për një drekë me Ramën.

Pyetja tjetër që shtrohet: “Faktori i tretë” është i njëjti “faktor i tretë”? Pra po ai që e nxiti Ramën të çonte në Kushtetuese marrëveshjen e mëparshme dhe që për katër vjet, ndër të tjera, çoi në acarimin e marrëdhënieve Greqi-Shqipëri si asnjëherë tjetër në 20 vitet e fundit? Gjasat janë të jetë i njëjti dhe kjo i duhet kërkuar Ramës.

Nëse takimi Rama-Tsipras s’do të realizohej, atëherë do të shtroheshin edhe këto pyetje:

  • E gjithë kjo sagë 5-vjeçare, me acarim të marrëdhënieve Greqi-Shqipëri për mbi 4 vjet dhe një “paqe” disa mujore, që përfundon me dështim, ka qenë lojë e Ramës, e Greqisë apo e “faktorit të tretë”?
  • A e do realisht Rama një përmirësim të marrëdhënieve me Greqinë?
  • Apo Rama ka frikë që ky përmirësim i marrëdhënieve do të ishte me koston e lartë të perceptimeve tejet negative të një “marrëveshjeje sekrete tradhtie”?
  • Apo Rama është peng i “faktorit të tretë” dhe lëvizjet e Ramës përcaktohen nga interesat e “tij.

Mbetet të presim pashkët…

Syri.net/ 23 mars 2018