Basha: Ky 22 Mars, thirrje për zgjim për të mposhtur diktaturën e krimit

Lulzim Basha u ka kujtuar shqiptarëve sot se 22 Marsi i vitit 1992 ishte dita e triumfit të madh, kurse 22 Marsi i 2018 duhet të jetë dita e zgjimit të madh për të mposhtur diktaturën e krimit në Shqipëri.

Nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, pasi Basha ka uruar shqiptarët për festën e Sulltan Novruzit, ai ka kujtuar se 22 Marsi mbart një rëndësi të veçantë, historike në jetën e shqiptarëve:

“U uroj nga zemra, të gjithë vëllezërve dhe motrave bektashianë, gëzuar ditën e bekuar të Sulltan Novruzit, ditëlindjen e Imam Aliut, - tha Basha. - Është dita e ringjalljes, është dita që shënon fundin e dimrit të gjatë dhe të egër dhe nisjen e pranverës. Është dita e fitores së dritës mbi errësirën. Ndaj u uroj nga zemra, të gjithë besimtarëve të Zoti, qoftë kjo një ditë e ripërtërisjes së shpresave dhe besimit në Zot,  e optimizmit dhe të mirës në zemrat dhe familjet e çdokujt.

Është po kështu, 22 marsi historik, dita kur 26 vite më parë , më 22 mars 1992, shqiptarët u bashkuan dhe mposhtën errësirën dhe tiraninën 45-vjeçare, mposhtën diktaturën e së keqes, diktaturën më çnjerëzore që varfëroi, shtypi dhe shkatërroi jetët e miliona shqiptarëve.

Është dita e një triumfi të madh të bashkimit të vullnetit të miliona shqiptarëve por është po kështu edhe një thirrje për një bashkim dhe një zgjim më të madh vullnetesh të shqiptarëve për të mposhtur diktaturën e krimit, për të marrë në dorë fatin tonë dhe për ta çuar Shqipërinë drejt destinacionit të saj hyjnor, mision kombëtar i Partisë Demokratike, drejt Shqipërisë së lirisë, së dinjitetit, së punës dhe demokracisë evropiane.

Gëzuar edhe njëhërë Sulltan Novruzin, gëzuar 22 Marsin e historisë, paralajmërimin  dhe besimin për të nesërmen evropiane për çdo shqiptar dhe çdo shqiptare."