Kushtetuesja shqyrton sot rrëzimin e Vettingut, ambasadori Lu hyn në seancë

Gjykata Kushtetuese shqyrton sot kërkesën e Partisë Demokratike për shfuqizimin e 11 neneve të ligjit të Vettingut.

Në seancën gjyqësore, ku ndodhen përfaqësuesit e PS-së dhe PD-së, ka shkuar për ta ndjekur edhe ambasadori amerikan Donald Lu. Ambasadori Lu sëbashku me ambasadoren e BE-së, Romana Vlahutin, u angazhuan maksimalisht për hartimin deri në votimin e ligjeve të Reformës dhe Vettingu qe njeri prej tyre, për të cilin ushtruan mjaft presion mbi palët për ta miratuar.  Prania e tij sot në Gjykatë tregon interesin e posaçëm me të cilin ai vazhdon ta ndjekë procesin.

PS përfaqësohet nga deputetët: Fatmir Xhafa, kryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi; Vasilika Hysi, sekretare e Komisionit dhe Pandeli Majko, anëtar ndërsa Partia Demokratike, nga deputeti Oerd Bylykbashi, Zv.kryetar i Komisionit të Reformës dhe ekspertët, Gazmend Bardhi dhe Ivi Kaso.

Ligji i Vettingut u miratua në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit më 30 gusht. PD-ja e konsideroi këtë ligj si antikushtetues, pasi mbar rrezikun që procesi i skanimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të përdoret politikisht nga qeveria. Ditën kur dorëzoi kërkesën në Kushtetuesi, Oerd Bylykbashi, nënkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, tha:

"Me ligjin që kaloi me 30 gusht, duke shkelur Kushtetutën, Edi Rama kërkon që kontrollin e gjyqtarëve, Vetingun, ta bëjnë zyrtarët e lartë të PS, ta bëjë Alket Hyseni i cili është garanti i Kushtetutës së PS dhe e dinë shumë mirë se çfarë ndodh atje. Edi Rama do që vettingun ta bëjë Arben Seferi , zyrtar tjetër i PS-së, pra me levat dhe instrumentet e e tij, të kontrollojë gjyqtarët të vendosë kush gjyqtar dhe prokuror të iki dhe më pas të caktojë ai gjyqtarët dhe prokurorët që do të hetojnë këtë kryeministër të korruptuar, për korrupsion. Kjo është jo vetëm shkelje e Kushtetutës, ky është një krim kushtetues."