Kreu i FRPD në Syri.net: Demokratët të mos përçahen, për të rrëzuar Ramën duhet një PD e bashkuar

Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e lajmeve të Syri.net, u ka bërë thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen për të rrëzuar Edi Ramën.

I pyetur nga moderatori Alen Xhelili rreth zërave për krijimin ë një fronti të ri opozitar nga ish-anëtarët dhe zyrtarët e lartë të PD-së, Këlliçi tha se PD nuk duhet përçarë, por të gjithë bashkë të bashkohen dhe të rikthejnë shpresën tek shqiptarët.

‘Nuk duhet të largohen qytetarët, por të çojmë politikanët në emigrim. Ka ardhur momenti që qytetarët të ngrihen për veten e tyre, jo për partitë politike. Jam nga të paktët që kam thënë, që edhe nëse vjen nesër që PD në pushtet të bëjë këto gabime, qytetarët duhet të ngrihen. Çfarë duhet të bëjë më Rama dhe rilindja e tij, që qytetarët të reagojnë.

Nuk mendoj se ka ndonjë demokrat që mendon se largimi i çdokujt anëtari jo më i themeluesve apo i titullarëve përbën avantazh për PD-në. Nuk e ka luksin PD të humbasë asnjë demokrat. Sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të bashkuar për të shpëtuar jo vetëm demokratët por të gjithë shqiptarët. Jam i bindur se nëse do të gjendet një mënyrë komunikimi, nëse të gjithë faktorët e PD-së do të bashkohen bashkë, PD do të jetë shumë më e fortë dhe shumë më e përgatitur në të ardhmen.

Ne duhet të rikthejmë atë model që sot i mungon Shqipërisë. Sot shqiptarëve dhe biznesit ju mungon taksa e sheshtë. Mos harrojmë se shumë shpejt do të hyjë në fuqi paketa e re fiskale, e cila do të jetë një dramë për shqiptarët’, deklaroi Këlliçi.