Ilir Vrenozi, Rusët dhe Griselda

Sa herë dalin rilindasit nëpër podiume për të akuzuar dikë, më kujtohet gjithmonë Griselda, ish-e fejuara e ish-kryetarit të bashkisë, Kavajë. Sipas tyre, ajo qenkej rrëmbyer nga njerëz të Berishës dhe ata kishin guxuar të kryenin një krim makabër. Ia kishin shkulur fëmijën nga planceta. Një skenar për filma horror, një lajm i tmerrshëm që çdo qeveri e fuste shtatë pashë ndën dhe. Por, ja që doli se ishte fake news. Një sajim nga fillimi në fund.

E ndërsa pritej një ndjesë nga selia e socialistëve, u trash zullumi. Erion Veliaj vazhdoi xhirimet mbi këtë skenar dhe vuri në dijeni BE-në,me fakse dhe e-maile pa numër. Ende sot nuk ndjehet kush për falje. Veç Ramës që para dy javësh shqiptoi thatë: ‘E tepruam me Griseldën’. Kaq dhe pandehu se vuri në paqe ndërgjegjen.

“Griseldat” në rrugën e qeverisë janë pa fund.

P.sh. u rrit çmimi i energjisë, por popullit iu tha se ajo u ul!!!!

U rrit borxhi publik,por u trumbetua se qenkeshin ulur interesat e tij!!!

U ul konsumi i popullatës, por iu ranë daulleve se jemi në rritje ekonomike.

Hymë tek vendet me korrupsion më të lartë në botë, por deklarohet se po bëjmë shtet.

Kaluam nga tregtimi i hashashit tek trafiku i kokainës, por tregohet si triumf lufta ndaj Lazaratit.

Tani së fundi po lulëzon një lajm i rimerkata e këshilltareve. Po ikërkan tre nga tre nga LSI tek PS. Sikur tespijeve iu është këput ushkuri. Pritet që së afërmi të jepet lajmi se edhe Monika fluturoi te Rama. Kjo qenka arritje, që shpresohet do mbushë plot barkun bosh të 20 mijë familjeve, të cilëve iu sharrua ndihma ekonomike. Tirani e paparë as në filmat më të dhunshëm.

Së fundi mbiu nga dheri filmi me rusë, të cilët ndihmojnë PD-në që të rrëzojnë Ramën me Taulantin nga komanda e atdheut 105.

Tregime as fantastike, as logjike. Tregime pordhike. Ndërtuar me pe të trashë dhe qepur paçavur. Iu kthyen prapë lajmeve me Griselda, por këtë herë ajo do shfaqet si Katjusha, Olga apo Natalia.

Në këtë komicitet, që e portokallizon më tepër faqekuqi Balla,më vjen ndër mend paralelizmi i UEFA-s me Ilir Vrenozin. Iliri është një i papunë në Korçë, një i varfër e i këputur që nga shtatë ditë të javës tetë ditë ha fasule. Por ja që UEFA e akuzoi se pikërisht ky Ilir “fasulja” na ka ndikuar te “Skënderbeu” të trukojë ndeshjet ndërkombëtare. Njësoj vrapoi lajmi si ai i Griseldës. Dikush në një fax futi emrin e korçarit të famshëm e qysh atëherë e tërë ditën emri i tij vallëzon në raporte, shkresa dhe vëzhgime ndërkombëtare.

Qeverisja e sotme ngjet me lojën e vjetër të telefonit të prishur. Thuhej një e ndodhi nga lajmësi i parë e shtrembërohej vesh më vesh. Por me një ndryshim të madh sot. Se prej lajmësit të parë, që është Rama, thuhet me qëllim një gënjeshtër e madhe dhe vesh më vesh ajo përfundon në një sajesë aq të tmerrshme, sa dhe Majko, si i fundit i lojës, e qortoi pardje me fjalët: ‘Mos i zmadhoni gjërat kështu. Mos e teproni, nuk jam dakord me Ballën!’

Ndërkohë sot nisi sërish avazi. Lajmësi Rama e futi gënjeshtrën në vesh të Ballës. Ky e di vetë ç’i punon asaj,se ka licencë për rrena. E bën lajmin jo vetëm me barrë,por edhe që në bark mban plot 6 fëmijë. Apo bërtet si aktor hollivudi se të vegjlit ia shkulën deputetët e PD-së ndihmuar nga truprojat e Putinit, paguar prej shoqërive ofshore...

Telefoni i prishur ‘Made in Rama’ po punon non stop. Në media, në podiume, në kuvend. Vetëm në ekonomi bën pip. pip. pip... Sleeping!