Hajdarmataj: Politika krijon një atmosferë armiqësore ndaj vjazave dhe grave

Flitet shumë për dhunën ndaj grave, apo lënien "në hije" të  rolit të saj në shoqërinë shqiptare. Por duket se është vetë politika ajo që krijon një atmosferë armiqësore ndaj seksit femër. Kjo ide u hodh sot nga ish deputetja Mimoza Hajdarmataj, në emisionin "Ditë e Re" në Ora News". Ajo është sot Drejtoresha Ekzekutive e qendrës "Gratë në Shërbim Publik".

Sipas ish deputetes  "Politika krijon një atmosferë armiqësore ndaj vajzave dhe grave. Njoh vajza të shkolluara që pengohen nga një pjesë e paaftë militanteske që punojnë  nëpër administrata . Kur këto vajza apo gra të shkolluara dhe goxha të kualifikuara shkojnë të aplikojnë, stafi i administratës u përgjigjet: Pse je këtu, pse nuk je jashtë me gjithë këtë kualifikim që ke?  Unë mendoj se duhet ta mbajmë të aftin në Shqipëri. Besoj tek forca e gruas sepse takoj, madje edhe në zona të thella të Shqipërisë gra që po të kenë mundësitë, po të kenë shanse, mund të bëhen pjesë e zhvillimit."

Hajdarmataj përmendi edhe faktin e përqendrimit të fushatave pro grave vetëm nëpër qyetet e mëdha, duke lënë "pas dore" zonat e thella të cilat kanë edhe nevojat më të mëdha."Tani që po e prek pjesën e organizatave jo qeveritare, jo fitimprurëse, apo shoqërinë civile, shoh se  zakonisht i zhvillojnë aktivitetet nëpër qytetet e mëdha, kur në fakt nevojat më të mëdha janë nëpër zonat e thella. Ato nuk kanë mundësi të zbresin për të bërë qoftë një mamografi apo kontroll të thjeshtë. Thonë: 'Nuk i themi dot burrit të shkoj për kontroll se thotë që ti nuk ke shqetësime.' Pra kontrolli shëndëtësor për ato zona quhet luks. Duhet të jesh e sëmurë patjetër, që të shkosh në spital", tha Hajdarmataj.