Hyjnë për të grabitur, përdhunojnë gruan greke

Një shqiptar u arrestua për grabitje dhe përdhunim, ngjarje të ndodhura një vit më parë në lagjen “Peristeri” të Athinës, raportojnë mediat greke.

Në pranga ka rënë një 25-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë me dije.

Një vit më parë, 25-vjeçari së bashku me një tjetër shtetas shqiptar hynë në banesën e një 46-vjeçareje greke, e cila ndodhej aty me të ëmën e moshuar. Për 12 orë, ata i mbajtën peng dy gratë duke u kërkuar që t’u jepnin kursimet e tyre. Madje, nuk u ndalën me kaq, por përdhunuan 46-vjeçaren. Pasi zbuluan se në banesë nuk kishte para, u larguan duke marrë disa bizhuteri.

Një vit më pas, policia greke ka arrestuar 25-vjeçarin, ndërsa bashkëpunëtori i tij është arrestuar më herët në Shqipëri, sipas medieve helene. Mediat greke, duke iu referuar burimeve policore, shkruajnë se ai ndodhet i burgosur në vendin tonë, duke mos treguar identitetin e tij.