Ofensivë amerikane në Ballkan, përse Shqipëria e Edi Ramës po bojkotohet?!

Paralelisht me ndihmës sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell, që po viziton këto ditë të gjithë kryeqytet e rajonit përveç Tiranës, sot një tjetër zyrtar i lartë amerikan ka nisur një turne në Ballkan, duke anash kaluar Shqipërinë. Senatori Chris Murphy, anëtar i Nënkomisionit për Marrëdhënie me Evropën dhe Bashkëpunimin e Sigurisë Rajonale që prej ditës së djeshme ndodhet në Shkup të Maqedonisë.

 Sipas një njoftimi të dalë nga kabineti i kryeministrit maqedonas, në takim është vlerësuar, se “Republika e Maqedonisë po ecë në drejtimin e duhur, përmes proceseve reformuese dhe hapave të ndërtimit të miqësisë me vendet fqinje, në rrugën drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”. Gjithashtu në komunikatën e kabinetit të kryeministrit Zaev, thuhet mes tjerash se senatori amerikan e ka inkurajuar kryeministrin dhe qeverinë e Maqedonisë që të realizojnë ndryshimet pozitive për vendin, ndërkohë që citohet të ketë theksuar miqësinë e sinqertë të Shteteve të Bashkuara për Maqedoninë.

Kryeministri Zaev ka lënë të kuptohet se qeveria e tij është e vendosur për konceptin “një shoqëri për të gjithë” mbi të cilin ndërtohet Maqedonia dhe për reformat e marrëdhëniet e mira me shtetet fqinje. “Po bëjmë politika përfshirëse dhe dialog mirëkuptimi dhe presim që kjo të vlerësohet për hapjen e dyerve të NATO-s dhe BE-së për Maqedoninë”, është shprehur Zaev, sipas njoftimit në fjalë

Gjithashtu Senatori Chris Murphy, para se të nisej për në Maqedoni njoftonte se do të diskutonte me kryeministrin maqedonas shqetësimet mbi njoftimet për diskriminimin e shqiptarëve.

“Si mik i vjetër i rajonit të Ballkanit dhe përfaqësues i mijëra votuesve shqiptaro-maqedono-amerikanë, ndjej emocione për takimet që do të kem dhe për idetë të cilat do t’i sjell prej atje. Kam dëgjuar shumë shqetësime nga komuniteti shqiptar në Konektikat rreth trajtimit të familjarëve të tyre në Maqedoni. Synoj t’i ngre këto shqetësime për të gjetur mënyra për forcimin e politikave anti-diskriminuese me kryeministrin (Zaev)”, kishte deklaruar

Kjo vizita e senatori Murphy në Shkup, që duket se ka si synim edhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në këtë vend, i parapriu vizitës së ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Vess Mitchell i cili sot është në Kosovë dhe nesër do të vizitojë Maqedoninë dhe më pas vendet e tjera të rajonit, Beogradin, Podgoricën, Athinën etj.

 Të dy zyrtarët e amerikanë të nivelit të lartë kanë shmangur në mënyrë “të çuditshme”, pa dhënë ndonjë arsye zyrtare, Tiranën zyrtare dhe takimet me kryeministrin Rama.

Është ky sinjali i parë dhe një mesazh që vjen nga përtej oqeanit, për Edi Ramën?!