Kokaina, flet Olsi Rama: Unë s'e pyes Ramën, ai s’më pyet mua. Në këtë fshatin tonë...

Olsi Rama me nënshtetësi amerikane, që nga viti 2013 kur i vëllai u bë kryeminstër i vendit braktisi jetën “e kopsitur” në Boston të SHBA dhe jeton në Shqipëri. Deri pak muaj më parë pas marrjes së deyrës si drejtor i sport-klub Partizanin, ai zyrtarisht për 4 vite rresht ka qenë “i papunë”, por kjo nuk e ka detyruar si qindra mijë shqiptarë të tjerë të largohet sërish nga vendi.

Daljet e Olsi Ramës në media janë shmangur gjithmonë, por mbrëmjen e djeshme ai ka preferuar televizionin e drejtuar prej mikut të tij të ngushtë, Thoma Gëllçi, (Edhe ky la Bostonin së bashku me Olsin, për të “ndihmuar” kryeministrin e sapozgjedhur në atë kohë) për të reaguar për herë të parë për akuzat e Partise Demokratike, lidhur me përfshirjen e tij direkte në linjën e trafikut të kokainës kolumbiane dhe specifikisht, si “peshku i madh” i sasisë rekord prej 613 kg të kapur në Maminas.

 “Të gjithë ata që më njohin mua, e dinë që unë nuk kam lidhje me këto çështje. Është një absurditet i radhës. Janë sajesa, unë nuk kam lidhje. As me punë tenderash, asnjë lloj gjëje të ngjashme. Po këto janë gjëra që sajohen në këtë fshatin tonë”, deklaroi Olsi Rama mbrëmë, në “Rubrikën Sportive” në TVSH.

Kjo lloj përgjigje dhe vetëmbrojtje e dobët e cila nuk thotë asgjë konkrete, vetëm sa i shton dyshimet për vërtetësinë e akuzave të opozitës. Olsi Rama e quan Shqipërinë “fshatin tonë”, por refuzon që tregojë arsyen se përse e braktisi Amerikën për një fshat të fundit edhe në Ballkan dhe preferon të jetojë aty, ndërkohë që shumica e shqiptarëve e ëndërrojnë largimin dhe jetën në SHBA.

Gjithashtu në të njëjtën intervistë pasi u pyet për marrëdhëniet me vëllanë kryeministër, Olsi Rama tha se, “unë se pyes atë për punët e tij, ai nuk më pyet mua për punët e mia, në aspektin profesional nuk i hyjmë njëri-tjetrit”.

Olsi Rama ka vetëm 2 muaj që “punon” si drejtor në klubin sportiv Partizani, por nuk i dalin “hesapet për më shumë se katër vite të tjera që kur është kthyer nga Shqipëria.

Me çfarë është marrë vëllai i kryeministrit të vendit gjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë në “fshatin tonë”, për të cilin braktisi edhe vetë Amerikën?!