BERZH e rendit Shqipërinë të fundit në Ballkan

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaron se Shqipëria është vendi me stokun më të ulët të investimeve të huaja për frymë popullsie në Ballkan, me diferencë të theksuar me vendet e tjera. Në një raport të fundit, që analizon produktivin në ekonominë e Ballkanit Perëndimor, BERZH thekson se aktualisht stoku i investimeve të huaja për frymë në Shqipëri është vetëm pak më shumë se 1 mijë euro, kur vendi i parafundit, Bosnja, e ka këtë tregues gati 2 mijë euro.

Sipas BERZH, mesatarja e stokut të investimeve të huaja për vendet e rajonit është 2602 euro për frymë ose mbi 2.2 herë më i lartë se në Shqipëri. Stoku i Investimeve të Huaja Direkte për frymë përfaqëson nivelin total të investimeve nga jashtë që ka marrë në vite një vend në raport me numrin e popullsisë.

Në Serbi investimet e huaja llogariten 3 mijë euro për frymë, ndërsa në Mal të Zi ato janë 6 mijë euro për frymë, ose 6 herë më të larta se në Shqipëri.

BERZH thotë të përgjithësisht vendet e Ballkanit kanë një nivel të ulët të Investimeve nga jashtë. Në vendet e zhvilluara të Bashkimit Europian, mesatarja e investimeve të huaja për frymë llogaritet 14 271 euro, gati 15 herë më shumë se në Shqipëri dhe 7 herë më shumë se mesatarja e Ballkanit Perëndimor.

Sipas BERZH, niveli i ulët i investimeve të huaja në vendet e Ballkanit është rezultat i klimës së vështirë të biznesit dhe pengesave për investitorët e huaj.

“Pengesat kryesore për investimet nga jashtë në vendet e Ballkanit shpesh lidhen jo me mungesën e ligjeve, por me zbatimin e tyre,” thuhet në raport.

Investimet e huaja direkte janë një nga faktorët kryesorë që nxisin rritjen e produktivitetit në vendet në zhvillim. Përveç efekteve që kanë në punësim, ato transferojnë teknologji të avancuar dhe njohuri duke përshpejtuar rritjen e të ardhurave në ekonomitë pritëse.

Stoku i ulët i këtij treguesi është një nga arsye kryesore se pse Shqipëria mbetet ekonomia me produktivitetin më të ulët në Ballkan si dhe vendi me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë.