Shpërthen Mourinho: S’e merituam fitoren ndaj Liverpulit? Nuk më plas çfarë mendoni!

Jose Mourinho vijon showun e nisur në konferencën për shtyp në vigjilje të ndeshjes, edhe pas fitores ndaj Liverpulit. Pasi sulmoi Nevil me shokë për kritikat e taktikës së tij mbrojtëse, ai tha se nuk i interesonte shumë nëse United e meritoi apo jo fitoren dhe nuk është dakord me ta që Liverpuli e kontrolloi ndeshjen:

“Ne mund t’i ndajmë të dyja pjesët. Pjesa e parë ishte e United, e dyta e Liverpulit. Por pjesa jonë e parë ishte një pjesë me gola dhe rrezik. Në pjesën e dytë, në opinionin tim, sepse ndoshta njerëzit në studio kanë një tjetër mendim, ishte Liverpuli që e kontrollonte lojën me top dhe United që e kontrollonte pa top.

Skuadra jonë ishte gjithnjë nën kontroll. Edhe në goditjet standarde, këndit dhe situatat e rrezikshme ne ishim në kontroll, kështu që mendoj se e merituam. Kundër Liverpulit, në rast se luan keq kur ke topin, atëherë mund të jesh në telashe. Në pjesën e dytë nuk ishte plani ynë të mbroheshim aq shumë.

Ata na sulmuan, por ne ishim në kontroll. Nëse njerëzit nuk mendojnë se ne e merituam, nuk më intereson. Jam pak i lodhur, kemi një ndeshje të martën. Nuk më plas çfarë thonë njerëzit. Djemtë janë të gëzuar, unë jam i gëzuar”. Më pas menaxheri i “djajve” iu rikthye sërish ndeshjes:

“Ishim shumë agresivë në pjesën e parë. Donim të kishim kontrollin e ndeshjes, hapësirat për tranzicionin dhe u përpoqëm t’i shfrytëzojmë, jo dobësitë, por pikat ku kundërshtari nuk është aq i fortë. Në pjesën e dytë nuk donim të ishim aq mbrojtës. Liverpuli na ushtroi presion, por mua nuk më kujtohen raste ku De Gea bëri pritje shpëtimtare.

Nuk më kujtohet asnjë rast i rrezikshëm për gol. Ata e kontrollonin me top, ne e kontrollonim pa top”. Të martën është radha e Champions-it ku United do të presë Sevillan pas barazimit 0-0 në ndeshjen e vajtjes së 1/ 8-ave. Por, a ishte ky rezultat një provë vetëbesimi për të mposhtur spanjollët? “Tri ndeshjet në kampionat, Champions dhe Kupën FA janë tri ngjarje të pavarura nga njëra tjetra, me asnjë lidhje me ndeshjen e radhës.

Truri njerëzor është një gjë komplekse. Humbja të lë një shenjë të keqe, ndërsa fitorja të lumturon edhe kur je i lodhur. Gjëja më e mirë ishte të fitonim këtë ndeshje”. Në lidhje me dëmtimin e Pogbasë në stërvitje, “Speciali” sqaroi: “U dëmtua në minutën e fundit të stërvitjes së fundit përpara ndeshjes.

E pabesueshme. Nëse do ta kisha mbyllur stërvitjen një minutë përpara, ai do të ishte OK”. Në fund, trajneri vlerësoi edhe Rashfordin dhe MeckTommney: “Për Markusin është speciale sepse ai djalë ka lindur në Mançester. MeckTommney luajti me klas dhe maturi”. /Panorama/