FOTO/ Studio e preferuar e Ramës ndërton në Tiranë me investitorë të panjohur

Pallati që shihni në foto po ndërtohet në një rrugicë afër shkollës Petro Nini në kryeqytet, në një zonë ku një metër katror ka arritur në 1800-2000 euro. Ai po ndërtohet në bazë të një vendimi të kryetarit të Bashkisë dhënë në gusht të vitit të kaluar, për një godinë banimi dhe shërbime 2, 8 dhe 10 kate dhe trek ate parkim nëntokë.

Arkitekt i këtij pallati është firma “Atelier 4”, e njohur për lidhje të ngushta me ish kryebashkiakun dhe tani kryeministrin Edi Rama, 60% të aksioneve të së cilës janë në pronësi të Alban Efthimi. Bashkëpunëtore e Ateliar 4 ka qenë në shumë raste edhe Rea Xhillari, vajza e bashkëshortes së kryeministrit. Shumë projekte në vend, që pas vitit 2013 mbajnë vulën e Atelier 4.

“Lapsi” ka investiguar mbi palët që janë të përfshirë në ndërtimin e këtij pallati- ndërtuesi dhe zhvilluesi – dhe rezulton që ato janë firma pa fuqi financiare, duke shtuar dyshimet se nga vijnë burimet e vërteta të financimit të këtij pallati në një zonë të preferuar të Tiranës dhe që pretendohet se do të jetë i një cilësie shumë të lartë.

Firma ndërtuese quhet Kaso shpk. Në faqen e internetit, thuhet se Kaso group është e specializuar në ndërtimin e pallateve cilësore. Por, nga bilanci i dorëzyar zyrtarisht në tatime rezulton se kjo firmë ka një aktivitet minimal. Sipas bilancit zyrtar të vitit 2016, të ardhurat në vitin 2015 ishin zero, ndërsa në 2016-n ishin minimale prej 8.6 milionë lekë, apo vetëm  63 mijë euro. Me 63 mijë euro sot nuk ble më  as një hyrje, ndërsa firma në fjalë ka marrë përsipër ndërtimin e një pallati cilësor, ku një hyrje prej 100 metrash do të shitet minimalisht me 150-180 mijë euro.

Kaso shpk është themeluar që në vitin 1995, me aktivitet në përpunimin e lëndëve drusore, por të dhënat e bilanceve të dorëzuara në vite tregojnë se aktiviteti i saj ka qenë minimal, ku të ardhurat maksimale të arritura ishin 17.4 milionë lekë në vitin 2013 (gati 130 mijë euro). Aktiviteti i firmës deklarohej në Ersekë në atë kohë. Në vitin 2015 kompania kërkoi pezullim për disa muaj dhe nuk kishte fare aktivitet në 2015-n. Në nëntor të vitit 2017, pak pasi ishte marrë leja e ndërtimit, Kaso shpk ndryshoi objektin e aktivitetit nga “Shfrytezim i lendes drusore.Studim e projektim te punimeeve pyjore, per hartimin e planeve te manexhimit te pyjeve,flores” në “Ushtrim i aktivitetit privat ne fushen e ndertimeve, ndertime civile dhe ekonomike, ndertime publike”. Aksioner i 100% të aksioneve është Jorgo Kaso, i cili nuk rezulton të ketë kompani të tjera të regjisgtruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, që do të mund t’i siguronin të ardhura të tjera.

Investitori i projektit nuk bëhet i ditur në tabelën që jep informacion për punimet. Ndërsa zhvillues i projektit është Relianda Zhelegu, e cila ka hapur në shkurt 2017 një aktivitet si person fizik me object investitor në ndërtim. Ajo ka aktivitet dhe si konsulente juridike (biznes i vogël). Më herët Zhelegu ka qenë aksionere në kompaninë FILIA AL – EL, me aktivitet në “Prodhimi dhe tregtimi me shumice i materialeve inerte dhe materialeve te tjera te ndertimit”, biznes që është pezulluar që në vitin 2012.

Tirana është kthyer muajt e fundit në një kantier ndërtimi, çka ka sjellë dhe futjen në treg të firmave të ndërtimit që ishin krijuar prej vitesh, por që kishin deklaruar të ardhura minimale deri tani, duke ngritur pikëpyetje nëse këto kompani po përdoren për fasadë për të kanalizuar dhe pastruar paratë që vijnë nga aktivitete të jashtëligjshme.

Pavarësisht premtimit të kryebashkiakut Erion Veliaj në vitin 2015, përpara se të zgjidhej në krye të Bashkisë së kryeqytetit, se do të jepte zero leje ndërtimit, në Tiranë në vitin 2017 u dhanë gjithsej 231 leje, ose 124 leje më shumë se një vit më parë, ndërsa sipërfaqja totale e lejeve të dhëna për ndërtim në 2017-n arriti një rekord prej 522 mijë metra katror. /Lapsi.al.