Java e 24-t e gjitha sot, Skënderbeu për formalitet, Partizani kërkon hakmarrjen ndaj Luftëtarit

Java e 24-t e Kategorisë Superiore do të ngrejë dhe do të mbyllë siparin këtë të shtunë me të gjitha sfidat që do të luhen sot të ndara në dy orare, 3 ndeshje do të zhvillohen në orën 14:00 dhe dy të tjera në orën 17:00. Skënderbeu që e ka vendosur njërën dorë tashmë te titulli synon të thellojë diferencën ndaj Kukësit ndjekës pasi pret në shtëpi, Lushnjën e vendit të fundit që e ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë. Fitorja pritet të jetë një formalitet për korçarët me trajnerin Daja që pritet të hedhë në fushë 11-shen më të mirë të mundshme.

Në orën 17:00 nuk do të zbresë në fushë vetëm Skënderbeu por edhe Partizani. Të kuqtë presin në Selman Stërmasi, Luftëtarin e Hasan Likës, në debutimin e Klevis Dalipit si trajner i parë i Partizanit. Misioni Europë kalon nga kjo ndeshje për 15-herë kampionët të cilët do të kërkojnë të hakmerren ndaj Luftëtarit për atë humbje shokuese që pësuan në fazën e dytë në Gjirokastër me rezultatin 5-0. Megjithatë Partizani nuk do ta ketë aspak të thjeshtë përballë bluzinjëve që janë skuadra e momentit në Superiore dhe nuk pësojnë humbje prej 11 takimesh.

Në orën 14:00 dueli që spikat më shumë është ai mes Laçit dhe Flamurtarit dy skuadrave që nuk po kalojnë një moment të mirë. Gentjan Mezani në stolin e bardhezinjëve do të kërkojë t’i japë një tjetër goditje skuadrës së tij, teksa një fitore e kurbinasve në këtë ndeshje do të lëkundte shumë pozitat e Flamurtarit në renditje me skuadrën e Duros që do të rrezikonte seriozisht kualifikimin në Kupat e Europës. Kukësi do të kërkojë të blindojë vendin e dytë me një fitore ndaj Teutës së rilindur në Zeqir Ymeri në një ndeshje ky sytë e trajnerit Pacult dhe të tifozëve janë nga dyshja Shkodra-Guri pasi u takon atyre ta çojnë skuadrën te goli. Vllaznia ndërkohë pas fitores së bujshme ndaj Flamurtarit do të kërkojë të marrë pikë në periferi të kryeqytetit ndaj Kamzës së Ndreut që vjen në këtë ndeshje pas 2 humbjeve radhazi dhe kërkon rikthimin te fitorja.

Java e 24-t

Kukësi-Teuta               14:00   

Laçi-Flamurtari            14:00

Kamza-Vllaznia            14:00

Partizani-Luftëtari       17:00

Skënderbeu-Lushnja   17:00