Ambasadori LU e gjen një ‘peshk të madh’, deklarata e tij për kokainën

Ambasadori amerikan, Donald Lu megjithëse një muaj me vonesë por duket se e ka identifikuar një “peshk të madh”. Në një prononcim për “News24”, diplomati amerikan ka komentuar kapjen e 613 kg kokainë në Durrës.

Ai ka thënë se Arbër Cekaj nga çdo këndvështrim është “peshk i madh” dhe i ka bërë thirrje partnerëve ta arrestojnë dhe ta sjellin para drejtësisë.

Z. Lu, Arbër Cekaj ka thënë se ai nuk është një “peshk i madh”? A mendoni ju se ai është i tillë?

Lu: Nga çdo këndvështrim, Z. Cekaj është një peshk i madh. Kompania e tij importoi një ngarkesë bananesh që përmbante sasinë më të madhe të kokainës në historinë e Shqipërisë. Ai është hetuar më parë për trafikim kokaine nga prokurorët shqiptarë. Ne përgëzojmë punën e prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan urdhër arrestin për Z. Cekaj. Shqipëria ka një histori të gjatë arrestimesh të ngjalave dhe injorimi të peshqve të mëdhenj. Kjo gjë merr fund sot. Ne i bëjmë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të gjejnë Z. Cekaj dhe ta dorëzojnë atë përpara drejtësisë.