Duterte i Filipineve kalon çdo cak: hetuesen e OKB e fut në listën e komunistëve terroristë

Kombet e Bashkuara dhe qeveria e Filipineve po përleshen ashpër lidhur me trajtimin që presidenti i Filipineve po i bën hetuesve të të drejtave të njeriut e puna ka arritur deri aty sa shefi i Kombeve të Bashkuara tha se Presidenti i vendit Rodrigo Duterte ka nevojë për një vlerësim psikologjik.

Qeveria filipinase i zemëroi Kombet e Bashkuara pasi një nga hetueset për të drejtat e njeriut e përfshiu në një listë prej 600 personash që i konsideron si komunistë terrorristë.

Në një peticion të paraqitur në gjykatë në Manila muajin e fundit, departamenti i drejtësisë radhiti më shumë se 600 persona të kategorizuar si rebelë që përdornin akte terrori për të minuar qeverinë. Ndërmjet tyre ishte futur edhe raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e indigjenëve, Victoria Tauli-Corpuz, e dyshuar si anëtare e lartë e grupit rebel maoist.

Peticioni i bërë publik të premten do t’i japë fuqi qeverisë të monitorojë nga afër lëvizjet dhe të kufizojë takimet e çdokujt në atë listë.

Tauli-Corpuz e denoncoi qeverinë që e etiketoi atë si terroriste dhe i vuri jetën në rrezik, duke i quajtur akuzat si të pabaza, qëllimkeqe dhe të papërgjegjshme,

OKB tha se akuzat ishin një akt hakmarrjeje për qëndrimet kritike të Tauli-Corpez për sulmet dhe vrasjet e indinjenëve, popullit Lumad në Filipine e tha se ato shkelnin konventën e OKB për të drejtat e njeriut.

Ka shumë pak dashuri ndërmjet Duterte dhe OKB-së. Vitin e kaluar, presidenti filipinas e quajti organizatën “budallaqe” dhe "mut” dhe kërcënoi të largohej prej saj pasi OKB dënoi luftën e tij të përgjakshme kundër drogës./SYRI.NET