LDK, pas votimit të demarkacionit të dorëhiqet qeveria

Lidhja Demokratike e Kosovës në konferencën e rregullt javore per mediat ka bërë të ditur se kjo parti është duke punuar në hartimin e një platforme të re qeverisëse.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti tha se vetëm LDK ka mbetur gardiane e shtetit ligjor në Kosovë, duke bërë të ditur se po përgatiten për zgjedhje të reja.

Hoti ka folur edhe për mungesën e punës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë që janë katër seanca të hapura në pamundësi për t’u përmbyllur për shkak se koalicioni është i shpërndarë.

“Në këtë situatë kur shumica parlamentare është e ndarë zgjidhja e duhur janë zgjedhjet e reja. Një çështje e mbetur pezull është Demarkacioni – më lejoni të përsëris se LDK-ja e përkrah këtë marrëveshje. Pas votimit të Demarkacionit, Qeveria duhet të japë dorëheqje, Parlamenti duhet të shpërndahet dhe ne të shkojmë në zgjedhje”, tha drejtuesi i larte i LDK.

Ai ka treguar edhe për një nismë që ka ndërmarrë kjo parti sa i përket hartimit të një platforme të re për udhëheqje.

“Ne jemi duke punuar shumë në hartimin e një platforme të re qeverisëse, e kemi mbledh të martën grupin e ekspertëve. Një grup mbi 80 veta të grupeve të ndryshme, duke filluar nga ekonomia, arsimi, shëndetësia, politika e jashtme, siguria etj. Tash do jemi në terren në komuna të ndryshme për të biseduar me struktura tona, shoqëri civile dhe biznese për të marrë inputin e tyre për platformën e re”, u shpreh ai.

Sipas Hotit, LDK do ta formojë grupin e ish-deputetëve të LDK-së, të cilët kanë punuar për Kosovën në mënyrë që siç tha për të ndihmuar në hartimin e kësaj strategjie të re të LDK-së.