Vrasja në Fier, i ati i viktimës: Albertin e kisha si djalin tim, e pati njohur në burg në Belgjikë

Babai i Kreshnik Beqirajt, i tronditur pas zbulimit të trupit të të birit, vrarë nga shoku i tij, ka rrëfyer se vrasësin, Albert Zekajn, e kishte pasur si djalin e tij dhe se ai kishte qënë edhe në shtëpinë e tyre.

"Kreshniku dhe Alberti që e vrasu janë njohur në burg, në Belgjikë. Ata jetonin me qera në Fier më pas, por Alberti nuk e paguante qeranë, - tha Mystehak Beqiraj. - Djali më kishte thënë se do ta nxirrte nga shtëpia. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta vriste. Por nëse drejtësia nuk e bën punën e vet, do ta bëjmë ne," - kërcënoi burri i moshuar.

Kufoma e Kreshnik Beqirajt u gjet dy ditë më parë e dekompozuar në fshatin Daullas të Fierit. Nga hetimet u zbulua se ai ishte vrarë në qershor 2017 nga shoku i tij i emigracionit, Albert Zekaj nga Kopliku me të cilin kishte marrë me qera një shtëpi në Fier.

Siç e ka pranuar edhe autori i vrasjes, ata ishin grindur për pagesën e qerasë dhe Zekaj, i dehur dhe i irrituar, e ka vrarë shokun me të cilin ndante një shtëpi dhe e ka groposuar.

Albert Zekaj u arrestua nga Policia dhe e pranoi autorësinë e krimit.