Daçiç: Bashkësia ndërkombëtare dhe shqiptarët po e mashtrojnë Vuçiçin

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, i tha transmetuesit publik të Serbisë, RTS, se duke u mbështetur në përvojën personale një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare dhe shqiptarët e Kosovës po e gënjejnë presidentin Aleksandar Vuçiç dhe se nuk dëshirojnë kompromis, por vetëm njohjen e pavarësisë së Kosovës, transmeton Koha.net. Ai ka shtuar se nuk ka shantazh që mund ta detyrojë Serbinë të njohë Kosovën e pavarur.

Siç është shprehur Daçiç, Prishtina dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta thonë qartë ka apo s’ka marrëveshje të Brukselit.

“Catherine Ashton, Hashim Thaçi dhe unë e kemi nënshkruar atë marrëveshje, dhe nuk do ta nënshkruaja po të mos ishte paragrafi për Bashkësinë (Asociacionin) e Komunave Serbe (AKS). Prandaj Serbia ka bërë një varg koncesionesh, përfshirë edhe integrimin e institucioneve serbe në ato të Kosovës. Është e papranueshme që të debatojmë më tutje nëse dikush do a nuk do ta zbatojë marrëveshjen”, ka thënë Daçiç.

Daçiç ka thënë se presidenti Vuçiç dëshiron ta zgjidh çështjen e Kosovës për hir të ardhmërisë, por është bindje naive dhe e gabuar se ai do ta bëjë këtë gjë pa marrëveshje dhe kompromise.

“Duke pasur parasysh përvojën, jam i sigurt dhe ia tërheq vërejtjen Vuçiçit se po e gënjejnë gjithë kohën dhe nuk duan kompromis, por duan njohje”, ka thënë Daçië