Çfarë po ndodh në PD? Ja reagimi i Lulzim Bashës dhe një mesazh për kundërshtarët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se kjo forcë politike është në një proces të vështirë, por sulmet nuk janë ide politike.

Duke komentuar zhvillimet në PD, Basha tha se sulmet dhe akuzat ndaj kreut të PD nuk ndihmojnë këtë forcë politike dhe as qytetarët në gjendjen ku është vendi.

Basha tha se kundërshtarët apo kritikët e tij janë pjesë e PD-së, do të vazhdojnë të jenë pjesë deri në momentin kur të deklarojnë vetë se s’duan të jenë.

“E kam thënë që PD duhet të aplikojë standardet evropiane, duhet të respektojë kontributet e çdo anëtari të kësaj partie”, tha Basha.

Ai tha se ftesa e tij ka qenë që të gjithë të mblidhen dhe të kontribuojnë në PD. Basha tha se zgjedhja e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë të bashkive do të bëhet nga anëtarësia e PD-së.

“Arben Imami tha se nuk do të marrë pjesë në Grupin e Punës, unë mendoj se kjo nuk i shërben çështjes. Po pse unë do të bëj bisedime me secilin prej tyre? Jo, unë i krijoj kushtet dhe secili të japë kontributin nëse dëshiron”, tha Basha.

I pyetur nëse PD aktuale mund të mundë Edi Ramën, Basha tha se ai mundet në zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Sipas Bashës, demokratët sot kanë një mundësi të artë për transformimin e kësaj partie dhe më pas të Shqipërisë.

“Ftesa ime është që ata kontributet që kanë në PD të vazhdojnë t’i kenë në këtë parti. Unë jam konsultuar me z. Berisha dhe me shumë demokratë, para se të merrnim sot në kryesinë e PD një vendim unanim për ngritjen e një grupi pune të një niveli të lartë politik”, tha Basha.