Akuzat për lidhjet me rusët/ Basha: Ja e vërteta e shkrimit në median e sponsorizuar nga Soros

Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike, i ka dhënë përgjigje akuzave që ngrihen në median amerikane ‘Mother Jons”.

Në studion e emisionit Opinion, Basha tha se çështja e lobimit të kontratave të PD është bërë publike më 14 nëntor.

“Pyetja është pse pikërisht këtë javë sponsorizohet një artikull i paguar dhe i porositur nga Edi Rama. “Mother Jons”, është gazetë ekstremiste të majtë, e cila ka pasur në qendër të vëmendjes Trump, është pjesë e një fondacioni që financohet nga Soros. 

PD i ka deklaruar 125 mijë dollarët për dy kompanitë e lobimit në një periudhë 3-4 mujore. 

PD ka shpenzuar atë që ka deklaruar dhe ka deklaruar atë që ka shpenzuar. i kemi të lidhura kontratat me firmat e lobimit dhe kemi paguar mbi bazën e kontratave.

Artikulli u botua këtë javë, pikërisht kur Shqipëria kapi titujt botërorë për kapjen e sasisë rekord të kokainës”, theksoi Basha.

Kreu demokrat tha se shkrimi është i mbushur me insinuata dhe ata që e kanë shkruar artikullin do t’i shërbejnë deri në fund atij që i ka paguar dhe porositur.

Basha tha se përkthimin e artikullit në shqip e ka bërë Partia Socialiste.

“PD ka marrë dy lobistë me kontrata publike me financimet e ligjshme të kësaj partie, që janë deklaruar edhe nga KQZ.  Z. Nik Muzin ka përmbushur detyrimet e tij para ligjit amerikan, ndërsa PD ka përmbushur detyrimet e saj kundrejt ligjit shqiptar, evropian dhe amerikan.

Ne mbajmë përgjegjësi për atë çka ne kemi paguar vetë, që janë bërë publike. Ne nuk mbajmë përgjegjësi për pagesa që nuk janë bërë nga PD, e cila nuk ka bërë asnjë pagesë 500 mijë dollarëshe”, tha Basha, duke insistuar se ky shkrim është i stisur pikërisht në javën kur vëmendja për Shqipërinë ishte në kapjen e 613 kg kokainë të sjellë nga Kolumbia.

Kreu demokrat tha se asnjë kompani apo individ nuk ka dhënë para tek z. Muzin për Partinë Demokratike, përveç shumave të deklaruara nga kjo parti.