U propozua nga Basha për të qenë pjesë e grupit proaktiv, ja reagimi i Arben Imamit...

Arben Imami, ish-deputet, ka refuzuar propozimin e kreut të PD-së, Lulzim Basha, për të qenë pjesë e grupit të punës që do të mbledhë kontributet dhe propozimet që do i shërbenin fuqizimit të kësaj partie.

Burime nga PD, bëjnë të ditur se Imami gjatë mbledhjes së Kryesisë ka thënë se nuk ishte për grupe pune dhe ka kërkuar caktimin e një tjetër emri në vend të tij.

Imami, mësohet të ketë thënë se çështjet nuk zgjidhen me grupe pune, duke shtuar se nuk kuptonte nxitimin e kreut të PD-së.

“Nuk e kuptoj nxitimin tuaj, nuk zgjidhen problemet as me grupe pune dhe as në mënyrë mekanike. Përse duhet të mbledhim Kuvendin Kombëtar në mënyrë të parakohshme?”, mësohet t’i jetë drejtuar Imami, Bashës.

Ndërkohë në grupin e punës është propozuar edhe Genti Malko, një tjetër kritik i Bashës në PD.

Basha propozoi që ky grup pune të përbëhet nga Nënkryetarët Edi Paloka dhe Edmond Spaho, Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, Sekretarët Enno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli, dhe anëtarët e Kryesisë-së, Arben Imami dhe Genti Malko.