'Arrest shtëpie' për Ahmet Muçën, pronarin e universitetit 'Kristal'

Gjykata e Tiranës ka marrë vendim që Ahmet Muçaj, pronari i universitetit "Kristal" të qendrojë në arrest shtëpie.

Vendimi që konsiderohet si masë sigurie u dha sot dy ditë pas arrestimit të tij me akuzën e shitjes së diplomave falso. Muça, edhe pse nuk kishte më liçensë, vazhdonte të shiste diploma për Drejtësi duke përdorur numrat e amzës që ishin lënë bosh para mbylljes së universitetit të tij. 

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, e cila arsyetoi se kërkonte arrest shtëpie pasi Muça ishte mbi 70 vjeç.

Prokuroria kishte dyshime në dhënien e diplomave të falsifikuara ndaj dhe në kuadër të një hetimi, Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë, arrestuan Ahmet Muçajn, ish-administrator i Universitetit “Kristal” për veprën penale “korrupsion pasiv në sektorin privat”. Ai u arrestua në kushtet e flagrancës, duke i dorëzuar një diplomë të falsifikuar të nivelit bachelor, dega Drejtësi, një shtetaseje kundrejt një pagese”.