Përmbytjet në Shkodër, Ademi kërkon gjendje të jashtëzakonshme: Po rrezikohen jetë njerëzish

Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka kërkuar zyrtarisht shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Shkodër për shkak të situatës së krijuar në këtë qark pas reshjeve të fundit.

Ademi ia ka drejtuar prefektit të qarkut të Shkodrës ku i bën me dije se si pasojë e keq-menaxhimit dhe shkarkimit të pakontrolluar situata është bërë e kritike dhe rrezikohet jeta e popullatës.

Deklarata e plotë:

KËRKESË PREFEKTIT TË QARKUT SHKODËR PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË EMERGJENCËS NË NJË PJESË TË TERRITORIT TË BASHKISË SHKODËR

Në vijim të situatës së krijuar nga shkarkimet e pakontrolluara dhe të mëdha në sasi dhe për  një kohë të gjatë, keq-menaxhimi i kaskadës së lumit Drin dhe mungesës së informacionit mbi sasinë dhe kohën e shkarkimeve, si pasojë e këtyre shkaqeve jemi në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç ku rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.

Përsa më sipër dhe referuar Ligjit nr 8756 datë 26.03.2001” PËR EMERGJENCAT CIVILE” Neni 2 ,pika 1 , Neni 13 , pika b si dhe:

V.K.M-së Nr.664, datë 18.12.2002 “PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E SHPALLJES SË GJENDJES SË EMERGJENCES CIVILE” , pika 1 si dhe pika 5 , germa a., germa c,paragrafi i dytë ,

Kërkojmë shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në pjesët e sipërpërmendura të territorit të Bashkisë Shkodër.

Kryetare

Voltana ADEMI