Nuk mund ti bihet gjithnjë ‘oligarkisë’

Ka shumë komentues publike dhe politikanë që përpiqen të ngulin thellë në opinion idenë se janë disa oligarkë (biznesmenë të mëdhenj) që po shkatërrojnë vendin. Madje disa mendojnë se për këtë “krim” ata duhen ndëshkuar.

Se çfarë faji kanë biznesmenët sinqerisht nuk arrij ta kuptoj! Nuk gjej asnjë logjikë! Të kërkosh përgjegjësi tek biznesi përse do të punojë e të fitojë. Edhe Marksi atje në varr rrotullohet nga sikleti nëse e dëgjon këtë gjë! As ai nuk e ka pretenduar këtë sa qe gjallë!

Përkundrazi, Ai argumentonte se “... motivi i kapitalit është fitimi”. Ky është në fakt motivi; FITIMI.

Nuk është përgjegjësi e biznesit mosruajtja apo keqmenaxhimi i pasurisë publike! Po fare, fare! Për këtë gjë popujt zgjedhin qeveri e institucione publike që ta bëjnë në emër të tyre.

Nuk është faji i biznesit pse do të ndërtojë kulla, as nëse ndërtimi kullave prish urbanistikën apo dhe çmimet e tregut immobiliar! Nëse atyre ua mban xhepi i ndërtojnë për të fituar vetë dhe jo për të fituar shteti. Natyrisht pjesë e fitimit është tregu i sigurtë, për të cilin më shumë sesa shtetit ju interesin vetë atyre.

Por nëse nga kullat prishet mjedisi, zihet drita e diellit apo prishet pamja tradicionale e qytetit (të gjitha këto janë pjese e interesit publik) nuk është fare përgjegjësi e tyre.

Përkundrazi këtë përgjegjësi duhet tua kërkojmë Bashkisë dhe Qeverisë! Ato janë zgjedhur të mbrojnë pasurinë publike dhe interesin publik.

Nuk është faji i biznesit pse qeveria ka vendosur të kolaps vendin me kontrata koncesioni!

Nuk ka logjikë tjetër që të ketë kuptim!

Sulmi ndaj biznesit në thelb është idiotësi, ligësi provinciale, anti-logjikë ekonomike krejt pa lidhje! Ky sulm ja kalon çdo marksisti.

Qeveria është fajtore! Këtë thotë edhe FMN, me të drejtë!

Në shoqërinë e kapitalit, duhet të bashkëjetojmë me dëshirën e biznesit për fitim. Ashtu siç duhet të kërkojmë një shtet të përgjegjshëm që në emër të publikut e kanalizon këtë dëshirë për fitim në funksion të interesit më të mirë publik!

Është detyrë e shtetit të tregojë se për çfarë ka nevojë më shumë shoqëria, për prodhim apo ndërtim; për turizëm apo shërbime; të infrastrukturë apo bujqësi. Mendoj se shteti ynë ka dështuar ta bëjë këtë gjë dhe për këtë faj ka vetëm Ai, pra SHTETI!

Debati tjetër pastaj se përse biznesi rri më afër qeverisë është edhe më idiot. Po pse afër kujt duhet të rrijë?! Keni parë gjëkundi biznes opozitar që të sigurojë fitim?! Kushdo që ka një NIPT synon të afrohet natyrshëm me marrësin e vendimeve, jo me kontestuesin e tyre!

Marrësi i vendimeve ka gjithë autoritetin të thotë JO kur duhet ta thotë dhe të shërbejë shpejt dhe mirë! Ashtu siç ka detyrën të refuzojë çdo ofertë të paligjshme në dëm të interesit publik!

Interesi publik është detyrë e shtetit, jo e biznesit!

Ashtu siç është poshtërsi e papranueshme përdorimi i emrave të biznesmenëve nga marrësi i vendimeve (siç bëri Kryeministri aktual) për të bërë politikë!

Duke u marrë me biznesin, harrojmë të merremi me pseudo-biznesin. Me atë që e krijon politika për të shkatërruar konkurrencën e madje edhe vetë vlerën e fjalës. Shihni çfarë bëhet me “biznesin e fjalës”, median!

Ky është krimi i vërtetë. Krim i nxitur nga pushteti!

Prandaj s’kemi përse drurin që duhet ti japim gomarit (qeverisë), t’ia japim pafundësisht samarit (biznesit)!