PD denoncon aferën me inceneratorin e Tiranës/ Ja si shkuan aksionet te Klodian Zoto...

Lealba Pelinku, drejtuesja e Departamentit anti-korrupsion në Partinë Demokratike ka denoncuar koncensionarin e inceneratorit të Tiranës.

Përmes një deklarate, bëhet e ditur se në 13 shkurt 2018 shoqëria koncesionare e inceneratorit Tiranë, “Integrated Energy B.V” spv blen 49% të kuotave të shoqërisë së Eco Recycling, shoqëria e riciklimit me ortak kryesor biznesmenin që ndërmjetësoi marrëveshjen midis bashkisë së Tiranës dhe asaj të Veronës për krijimin e kompanisë së pastrimit “Eco Tirana”.

“E thënë ndryshe, kuotat ia blen ortakut “MEG Albania”, famëkeqja e tragjedisë rrënqethëse të Sharrës, ku humbi jetën Ardit Gjoklaj.

Statuti i shoqërisë “Integrated Energy BV”, na tregon se përfaqësues i kësaj shoqërie është i kudogjenduri ndër inceneratorë: Klodian Zoto.  Në fakt, vendimin për ndryshimin e selisë, e nënshkruan edhe Zoto, në cilësinë e drejtorit.

Siç edhe paraqitëm, në 1 shkurt duket se Zoto merr pushime 1-mujore

Në fakt, kontrata e blerjes së 49% pjesëmarrje tek shoqëria “Eco Recycling”, si më sipër treguar, kësaj here nuk përmban nënshkrimin e Zotos.

Nuk është publikuar as vendimi i shoqërisë që miraton kryerjen e këtij transaksioni. Kjo e fundit nuk çudit, sepse QKR, me urdhër, duket shumë e kursyer në publikimin e dokumenteve të themelimit të shoqërisë koncesionare. Ky publikim është ligjërisht i detyrueshëm.

Pavarësisht të gjitha këtyre manovrave, shitje-blerje aksionesh, ndërrim anëtarësh të organeve të shoqërive (MEG Albania), prokurave të përgjithshme me të cilat delegohet çdo pushtet, pamja e Zotos dhe Zotove ngjason me atë të strucit me kokën në plehra”, thuhet në deklaratën e Pelinkut.