Teatri Kombëtar/ Sindikata e artistëve thërret në dëgjesë publike deputetët: S’ka transparencë

Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) ka thirrur në një dëgjesë publike të enjten (8 mars) deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Edukimin, në sallën Black Box të Universitetit të Arteve.

Takimi është thirrur lidhur me ligjin për artin dhe kulturës të propozuar nga Ministria e Kulturës dhe që është kundërshtuar nga artistët dhe aktorët, si dhe për rindërtimin ose ndërtimin e Teatrit Kombëtar.

“Më 8 shkurt 2018, Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE), thirri një mbledhje të hapur në sallën Black Box të Universitetit të Arteve, me pjesëmarrjen e artistëve, pedagogëve dhe studentëve të artit, për të diskutuar dy çështje shumë të rëndësishme:

1. Ndryshimet e propozuara nga Ministria e Kulturës në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën” (i miratuar më 2010 dhe i ndryshuar më 2014)

2. Transparencën për rindërtimin ose ndërtimin e Teatrit Kombëtar (TK), ndërkohë që ishte njoftuar zhvendosja e TK tek salla e ashtuquajtur “Turbina” dhe vendosja e TOB në sallën e TK.

Pjesëmarrësit në këtë takim shprehën pakënaqësi të thellë për politikat e Ministrisë së Kulturës gjatë viteve të fundit dhe i kërkuan kësaj të fundit, përmes një peticioni të nënshkruar nga 90 artistë, një takim të hapur, në sallën e TK.

Ministria e Kulturës u deklarua publikisht pro konsultimeve për ndryshimet në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën”, por refuzoi kategorikisht transparencën për çështjen e TK. Një përfaqësi jona shkoi në Ministrinë e Kulturës, ku dorëzoi origjinalin e peticionit, që ishte bërë publik më parë përmes mediave dhe nguli këmbë në hapjen e konsultimeve për ndryshimet në ligj.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë Tiranë, i cili më parë kishte njoftuar Këshillin Bashkiak se arkitekti Bjarke Ingels i kishte dërguar një projekt-ide për ndërtesën e re të TK, u shfaq në Opinion në TV Klan dhe deklaroi se tashmë kishte një “ofertë”, autorin e së cilës nuk e zbuloi, për partneritet publik privat për ndërtimin e TK në një sipërfaqe 3 mijë m2.

Po atë ditë, më 22 shkurt 2018, SASE u dërgoi dy letra të veçanta ministres Kumbaro (me propozime konkrete për ndryshimet në Ligjin “Për Artin dhe Kulturën” dhe kryebashkiakut Veliaj (me kërkesën për transparencë mbi projektin e ndërtimit të TK). Të dyja këto letra janë ende pa përgjigje.

Duke qenë se Ministria e Kulturës po demonstron mungesë vullneti për përfshirjen e grupeve të interesit në konsultime për ndryshimet ligjore, ndërsa Bashkia Tiranë po refuzon të bëjë transparencën për projektin e ndërtimit të TK dhe duke qenë se po bëhet një muaj nga fillimi i reagimit të komunitetit për këto çështje, ne ju ftojmë për një dëgjesë publike me artistët e skenës dhe ekranit, të enjten, më 8 mars 2018, ora 10, në sallën Black Box të Universitetit të Arteve”, thuhet në njoftimin e SASE.