Basha i përgjigjet Patozit: Distancohu nga personat me rekorde kriminale!

Një ditë pasi Astrit Patozi la të kuptohet se mund të nisë krijimin e një partie të re, bashkë me Ridvan Boden, ka ardhur edhe reagimi i Lulzim Bashës.

Në një deklaratë nga selia e PD-së, Basha tha se sulmet personale ndaj kryetarit nuk janë ide dhe nuk i shërbejnë demokratëve, por sipas tij PD është e hapur për të gjithë ata që janë për dekriminalizimin dhe kundër personave me rekorde kriminale në politikë.

“Dua tju them që Partia Demokratike sapo përfundoi procesin e analizës dhe bëhet gati për hapin përfundimtar drejt riorganizimit të partisë.

Tjetra që dua të them se është e drejta e gjithkujt të bëjë zgjedhjen e tij politike. Pretendimi se propozimet nuk janë shqyrtuar nga kryetari janë pretekst. Nuk është kryetari që shqyrton propozimet, por kuvendi. Kryetari vetë propozon.

Çdokush është i ftuar të japë propozime në fuqizimin e aksionit politik të PD. Sulmet ndaj kryetarit nuk janë ide politike, as sulmet ndaj PD në media nuk i shërbejnë demokratëve që përballen me krimin në pushtet, me revanshin e drogës, me largimin nga puna dhe largimin nga ndihma ekonomike.

PD dhe demokratët do të vazhdojnë të luftojnë kundër krimit dhe drogës dhe kundër kapjes së politikës nga krimi dhe droga. Kjo është një kauzë duhet t’i bashkojë demokratët. Prandaj në këtë kuadër nuk mendoj se vlejnë sulmet personale nga kafenetë dhe as deklaratat e pabazuara.

I bëj ftesë çdokujt që bashkohet rreth këtyre vlerave, dekriminalizmi, distancimi nga personat me rekordet kriminale, bashkëpunëtorë dhe autorë të trafikut të drogës. Ftoj këdo që bashkohet rreth këtyre vlerave” u shpreh Basha, që lajmëroi mbledhje e Kuvendit Kombëtar të PD-së në pranverë, që do të shënojë dhe mbylljen e analizës për humbjen e zgjedhjeve të 25 Qershorit.