Fakte të reja për kokainën e Maminasit, kontenieri u kontrollua në portin e Livornos

Fakte të reja po dalin çdo ditë për ngarkesën rekord të kokainës së sekuestruar në Maminas. Të gjitha hedhin poshtë deklaratat e kryeministrit Rama, se partnerët ndërkombëtar nuk kishin asnjë informacion apo dyshim për këtë trafik.

Kështu ditën e sotme Donald Lushaj, menaxherit të kompanisë “Arbri Garden”, së cilës iu kapën 613 kilogramë kokainë dëshmoi në gjykatë, se kontenieri është ndaluar për inspektim në Itali.

‘Kam katër vjet që punoj si menaxher i ‘Arbri Garden’. Porositë bëhen nga Arbër Çekaj 25-30 ditë përpara. Kontenierët e kompanisë erdhën dy javë me vonesë.

Kontenierët u ndaluan për inspektim në Livorno të Italisë dhe për këtë kontroll Arbrit i erdhi një faturë prej 4 mijë eurosh për të paguar’, tha Lushaj përpara togave të zeza.

Kjo dëshmi përveç se hedh poshtë deklaratat e qeverisë shqiptare për autorësinë e aksionit, ngre edhe dyshime të forta për një dekonspirim të madh, me synim shpëtimin jo vetëm të pronarit të kompanisë që importonte banane nga Kolumbia, por edhe të peshqve të mëdhenj, porositës dhe financues të këtij trafiku ndërkombëtar të kokainës.