Debate te Siguria për ‘Meçollarin’, Noka: Ka integritet të dyshimtë. Xhaçka: Ja pse e larguat ne 2012

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, po raporton në Komisionin e Sigurisë mbi pastërtinë e figurës së kapitenit të rangut të parë Artur Meçollari, i cili është pjesë e ekipit negociator me Greqinë.

Deputeti i PD-së Flamur Noka i ka kërkuar Xhaçkës që të bëhen transparente rrethanat që kanë çuar Ministren e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm për të bërë pjesë të grupit negociator një individ të tillë të dyshimtë si Artur Meçollarin.

Flamur Noka: Tu bëjmë transparente shqiptarëve rrethanat që kanë çuar Ministren e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm për të bërë pjesë të grupit negociator një individ të tillë të dyshimtë si Artur Meçollarin. A ka dijeni Ministrja rreth këtyre informacioneve që disponohen dhe që kanë qarkulluar qarkullojnë, a ka pasur dijeni Ministria e Mbrojtjes rreth integritetit të tij të cenuar dhe mbi çfarë rrethana është nisur për të caktuar në një detyrë kaq të lartë një njeri të dyshimtë?

Ministrja e Mbrojtjes, tha se ai është një nga ekspertët e paktë që vendi jonë ka në fushën e së drejtës së detit. Ajo shtoi se largimi i tij nga Forcat e Armatosura në 2012 ishte i padrejtë dhe një hakmarrje personale e ish-kryeministrit Berisha.

 Olta Xhaçka: Akuzat janë bërë për të poshtëruar jo një individ, por një proces të tërë që ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë. Çështja e delimitimit të hapësirave detare është një çështje sa komplekse dhe delikate. Në përballjet diplomatike me palën greke ka qenë e nevojshme ekspertiza në çështjet detare. Kapiten Meçollari ka dhënë kontributin dhe ka ofruar konsulencën e tij për disa ministra të Mbrojtjes dhe të Jashtëm. Konsulenca e Meçollarit për analizimin e situatës para dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010. Meçollari është larguar padrejtësisht nga FA. Ai nuk pranoi të firmoste heqjen e disa bazave detare. Sulmi ndaj Mecollarit është përplasje personale.

Ministrja e Mbrojtjes, vuri në pah edhe ndryshimin sipas saj mes marrëveshjes së 2009 dhe asaj që do të bëhet tani, duke veçuar se tani po bëhet konform rregullave, ndërsa në 2009 nuk u mor miratimi i presidentit.