Vdekja e Astorit i kujton Altin Lalës vetëvrasjen e ish-shokut të ekipit

Bota e futbollit këtë javë u godit nga tragjedia e rëndë e ndarjes së parakohshme nga jeta, të qendërmbrojtësit të Fiorentinës, Davide Astori.

Ngjarje të tilla rikthejnë edhe njëherë në kujtesë, ata lojtarë që janë ndarë nga jeta në mënyrë të papritur, duke lënë një boshllëk të madh te njerëzit e afërt.

Një nga këto raste është edhe ish-portieri i Hannover 96, Robert Enke, i cili kreu vetëvrasje duke u hedhur në shinat e trenit në vitin 2009.

Gjermani prej tre vitesh kishte rënë në gjendje depresive për shkak të vdekjes së vajzës së tij Laura në vitin 2006 nga problemet në zemër.

Portieri gjerman militonte prej shumë vitesh në të njëjtën skuadër me ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare Altin Lala.

Është pikërisht Altin Lala që ka dhënë prononcim për “Bild”, ku ndër të tjera ka folur edhe për Enken si lojtar dhe për nderimet që ju bënë.

“Ne humbëm një njeri të madh, një baba dhe një futbollist. Robert e meritonte këtë lamtumirë dinjitoze të zhvilluar në stadium. Gjithashtu, arkivoli i tij u vendos në mesin e fushës. Kishte shumë njerëz që kishin ardhur për homazhe. Janë momente që nuk i harron dot kollaj. Mbaj mend që edhe koha ishte e keqe atë ditë. Sot jam i lumtur kur shoh Teresa Enke në qytetin e Hanoverit dhe e kuptoj se dielli po shkëlqen përsëri për të”, ka thënë Lala.