Ja beteja më e vështirë sipas Sali Berishës dhe çfarë është jetike sot për PD...

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha se PD pavarësisht nga vështirësitë ka potencialet, ka stofin, ka parimet dhe në këtë shoqëri të jemi të sinqertë aseti i saj nga më të fuqishmit është dallimi në lidhjet me krimin.

Në këtë kuadër, Berisha tha se nuk e sheh me pesimizëm.

“Midis të gjitha betejave, ajo me krimin është më e vështira. PD duhet të mbjellë shpresë dhe frymëzim në çdo skaj të këtij vendi dhe unë shpresoj se do ta bëj”, tha Berisha.

I pyetur nëse PD i fiton zgjedhjet nëse ato bëhen sot, Berisha tha se shqiptarët mezi po presin të ndahen nga Edi Rama. “Pas Enver Hoxhës nuk ka njeri që të ketë nxirë më shumë shqiptarët sesa Edi Rama”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri deklaroi se PD ka mbyllur proçesin e analizave dhe është në interesin më të mirë që të bashkohen të gjitha kontributet. Berisha tha se nuk do të ketë asnjë rol në këtë proçes.

“Unë isha lider i PD dhe u tërhoqa, unë nuk jam. PD duhet të marrë në mënyrën më serioze bashkimin e të gjitha kontributeve, pasi në vlerësimin tim është jetike”, tha Berisha, duke shtuar se do të mbetet mik i të gjithë atyre drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve që kam punuar, nëse do të duan miqësinë me Sali Berishën.

Sipas tij, PD i ka potencialet për t’u ngritur në lartësinë që e kërkojnë qytetarët shqiptarë.