Formacioni i ri politik/ Ja reagimi i Bashës dhe deputetëve të opozitës...

Astrit Patozi, ish-deputet dhe ish-Nënkryetar i PD-së, nuk ka përjashtuar mundësinë për krijimin e një formacioni të ri, nëse nuk do të ketë një reagim nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, kundrejt platformës për ringritjen e kësaj partie.

Por si është pritur paralajmërimi i Patozit nga drejtuesit e partive opozitare, deputetë dhe vetë kreu demokrat, Lulzim Basha.

Duke iu përgjigjur interesimit të mediave, Basha është shprehur “do kemi kohë të flasim për këtë”, ndërsa nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ka theksuar “nuk merrem me këtë, mendova se keni ndonjë pyetje më të rëndësishme”.

Për deputetin Flamur Noka, PD ka parë shumë lëvizje, por të gjithë janë rikthyer në këtë parti.

Për kreun e LZHK-së, Dashamir Shehi, nuk ka ndonjë lëvizje, por propozime politike. “Unë çdo ngjarje që lëviz brenda hapësirës të së djathtës e konsideroj shenjë pozitive. Linja e kuqe është me palën tjetër. Shumë vite me radhë kemi bërë më shumë problem hallet që kemi midis nesh dhe rivalitetin sesa raportin që kemi me kundërshtarin”, tha Shehi.

Tritan Shehu, deputet i PD-së, shprehet se PD është partie e madhe demokratike me hapësira për të gjithë për ata që dëshirojnë dhe ndjenjë vetën për të bashkëpunuar më të. “Dikush mund të ketë një problem por mendoj se midis nesh ka hapësira për të gjetur gjuhën e përbashkët, për të qenë së bashku, pavarësisht je apo nuk je në Parlament, për të vijuar për të punuar së bashku në këtë forcë kaq të madhe dhe të vetmen forcë opozitare që ka Shqipëria”, tha ai.

Ndërsa për kreun republikan e domosdoshme dhe e rëndësishme është që opozita të bashkojë të gjitha forcat dhe energjitë që ka.  

“Çdo ndarje e së djathtës në segmente mendoj që do të kishte probleme dhe fraksionime që si shërbejnë qëllimit që ajo ka”, tha ai.