Çështja Llalla/ Berisha: Nuk kam pasur asnjë komunikim, ja çfarë duhej të bënte Donald Lu...

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se nuk ka komunikuar asnjëherë me Adriatik Llallën për ndonjë problem të caktuar nga momenti që ka hyrë në zyrë dhe deri sa është larguar nga posti i Kryeprokurorit.

Berisha tha se Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka firmosur një urdhër që nuk mund të vihet në dyshim.

I pyetur nëse duhet ti kërkojë ndjesë Ambasadorit Lu, Berisha tha se nuk ka sulmuar asnjëherë me tendencë.

“Donald Lu është zyrtar publik i shtetit amerikan dhe nëse Llalla i tha se i ka kërkuar ndërprerjen e hetimeve për kompaninë ku George Soros ishte aksioner, unë i kërkova që ai të sqarojë këtë moment. Nëse ai do e bënte unë do e falenderoja”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri tha se nuk merret me proçedurat e Departamentit Amerikan, nuk më takon të komentoj mbi veprimtarinë e një qeverie, pasi ato kanë informacionet e tyre nga agjensitë e tyre.

Në lidhje me Ambasadorin amerikan në Tiranë, Berisha tha se ai ka akuzuar 3 herë më shumë opozitën. 

“Kjo ka qenë një nga kritikat që unë kam bërë në mënyrë konstante. Gjëja më e lehtë është të sulmosh apo atakosh opozitën”, tha Berisha.

I pyetur nëse këto  akuza kanë lidhje me reformën në drejtësi,  Berisha tha se opozita e shpëtoi reformën në drejtësi, pasi në të kundërt ajo do të kishte dështuar tërësisht.

“Ne bëmë një betejë, një luftë të vështirë dhe mendoj se opozita i dha një kontribut historik kësaj reforme”, tha Berisha.

Duike ndërhyrë në emision, gazetari Çim Peka, tha se nuk mund të pranojë që në Shqipëri një ambasador të jetë më i rëndësishëm se Kryeministri, apo kur kryetari i opozitës të jetë një dele përballë ambasadorëve.

Por, ish-Kryeministri tha se Kryetari i PD-së ka përballuar presione nga më të mëdha. “Kryetari i opozitës ka ruajtur një dialog konstant me ambasadorët, por në mënyrë absolute ka mbajtur qëndrimet më të vendosura”, tha Berisha.

Ish-Kryeministri deklaroi se ka qenë për marrëveshjen e 18 majit, pasi midis asaj që të shkohej në zgjedhje pa opozitën dhe të shkohet me një marrëveshje, unë kam zgjedhur marrëveshjen. Në këtë kuadër Berisha theksoi se të shkosh në zgjedhje pa opozitën ishte shumë e rëndë.