Formacioni i ri politik/ Patozi: Nuk përjashtohet asgjë, në rast se Basha ...

Astrit Patozi, ish-deputet i PD-së, dhe një nga kundërshtarët e Lulzim Bashës në këtë forcë politike, nuk përjashton mundësinë e krijimit të një formacioni të ri politik, nëse nga ana e kreut demokrat do të vijohet me heshtje.

 “Një lëvizje politike në shumë raste është më e madhe se një parti politike, por unë nuk mund të përjashtoj asgjë në rast se shurdhëria dhe mosreflektimi do të vazhdojë.

Ne jemi të vendosur t’i qëndrojmë aksionit tonë politik sepse mendojmë se e kemi detyrim ndaj forcës sonë politike ndaj demokatëve në gjithë Shqipërinë, por dhe ndaj vendit në tërësi”, thotë ai, raporton TCH.

Në vijim Patozi thotë se nga ana e Bashës nuk ka asnjë gjest dhe asnjë akt për bashkimin dhe ringritjen e PD, por ka një letargji, në një kohë që po afrohen zgjedhjet lokale dhe PD është në një krizë të madhe përfaqësimi politik dhe në një krizë të madhe idesh dhe nuk ka një projekt, një strategji për të ardhmen.

Patozi nuk përjashton mundësinë për të sfiduar PD në zgjedhjet vendore të 2019, ndërsa thekson “në politikë asnjëherë nuk thuhet kurrë, por ne çdo vendim do ta ndërmarrin në përputhje dhe në konsultim me demokratët”.

Patozi tha se PD nën drejtim e Bashës po asgjësohet.

“Është hera e parë në Shqipëri sipas tij, që kur qeverisë i bie besueshmëria për shkak të skandaleve dhe korrupsionit dhe opozita nuk ngrihet”, shprehet ish-deputeti demokrat.