VIDEO/ Fitore shprese e Vllaznisë, zhgënjen Flamurtari

Vllaznia ka dhuruar spektakël në javën e 23-të të Kategorisë Superiore, duke mposhtur Flamurtarin me rezultatin e pastër 3-0.

Në minutat e para ishin vlonjatët ata që administruan lojën, por golin e gjetën shkodranët. Në minutën e 13-të mesfushori Vucaj realizoi një gol nga 30 metra, duke gjetur rrjetën nga goditja e dënimit.

Në minutën e 37-të, kuqeblutë gjetën edhe golin e dytë me Sukajn, duke e mbyllur të parën në epërsinë e 2 gola, ndërsa në minutën e 47-të, ishte përsëri sulmuesi shkodran Xhevahir Sukaj, ai që shënoi golin e dytë personal dhe të tretin e takimit.

Vllaznia ishte pranë shënimit të golit të katërt, por Gilman Lika, gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 74-t, duke bërë që takimi të mbyllej me rezultatin 3-0.

Një fitore mjaft e rëndësishme për skuadrën e Gjokës, ndërkohë Flamurtari është futur në krizë rezultatesh.