Agron Duka: Kuvendi është kthyer në dhomë noterie, mos u lodhni me fasadën...

Kryetari i PAA-së, Agron Duka, përmes një komenti në rrjetet sociale ka ironizuar veprimtarinë e Kuvendit të Shqipërisë duke e krahasuar me një dhomë noterie, ku shumica shkon për të ngritur dorën kur e kërkon kryetari.

Duka shkruan se e hëna është kthyer në ditë pushimi për mazhorancën.

“Dy janë zgjidhjet: Ose shpalleni edhe të hënën pushim, dhe mos u lodhni me fasadën; ose shkoni në punë dhe justifikoni rrogën që merrni nga taksat e shqiptarëve”, shkruan Duka.

Komenti i Agron Duka

"E hëna pushim, por vetëm për mazhorancën"

Sot është ditë e hënë, dhe për të gjithë ata shqiptarë që kanë fatin të kenë një punë, do të thotë zgjim i herët dhe përveshje mëngësh për të mbajtur familjet e tyre. Me punën e qytetarëve mbahet jo vetëm ekonomia, por edhe administrata, parlamenti dhe qeveria.

Me taksat tona, të cilat po pësojnë një rritje të vazhdueshme, mjafton të mendojmë taksën e pronës nga 1 Prilli, paguhen edhe ata që këtë sallë e kanë lënë bosh.

Ka kohë që Parlamenti është transformuar në një dhomë noterie, dhe pjesa dërrmuese shkon aty për të ngritur dorën kur e kërkon kryetari, por në këto përmasa po bëhet e turpshme.

Dy janë zgjidhjet: Ose shpalleni edhe të hënën pushim, dhe mos u lodhni me fasadën; ose shkoni në punë dhe justifikoni rrogën që merrni nga taksat e shqiptarëve.