Detajet nga grabitjet në Korçë/ Ja shuma e parave që u vodhën dhe dëshmitë e para...

Tre grabitje kanë ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin Korçë-Kapshticë. Autorët, që dyshohen se kanë qenë të njëjtët kanë vepruar me shpejtësi në tria fabrikat, por vetëm në njërën prej tyre kanë arritur që të marrin kasafortën me para, e cila kishte brenda 7 milionë lekë.

Pre e grabitjes ishin një fabrikë e përpunimit të qumështit, një mjalti ‘Morava’ dhe një fabrikë bojërash në Dishnicë. Në fabrikën e qumështit dhe mjaltit autorët nuk kanë gjetur para.

Por nuk janë dorëzuar me kaq, pasi i janë drejtuar banesës së pronarit të mjaltit ‘Morava’, por ky i fundit i ndjeu duke dalë me armë nga shtëpia.

 “Në orën 03:00 ndjeva zhurmë, mora armën me leje dhe dola nga banesa për të kontrolluar territorin, por nuk gjeta keqbërësit, pasi ata sapo panë lëvizjet janë larguar”, raporton Report Tv.

Duke qenë se edhe në banesë nuk arritën që të merrnin asgjë, autorët janë larguar duke u drejtuar për në fabrikën e bojërave në Dishnicë. Ata nuk janë pikasur nga roja në momentin që janë futur brenda në fabrikë, ndërsa kanë arritur që të marrin kasafortën me para, e cila nga të dhënat e para kishte brenda 7 milionë lekë. Pronari i firmës së bojërave është 47-vjeçari me inicialet A.M.

Fabrika ruhej me roje private, por ky i fundit, sipas policisë ka deklaruar se nuk kishte parë njeri, ndërsa vjedhjen e ka konstatuar rreth orës 08:00 të mëngjesit të sotëm. Sipas grupit hetimor, tre grabitjet janë realizuar nga i njëjti grup, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë për të shkuar në gjurmët e autorëve.Në harkun e tre javëve në Korçë janë kryer 5 grabitje, ndërsa në ditët e fundit ka pasur disa të tilla në të gjithë vendin nga Fieri, Tirana, Delvina, Fushë Kruja dhe Lezha.