Dëshmitarja tregon tmerrin: Aguri thirri për ndihmë “janë futur hajdutët te Gëzimi, hajdeni çuna”...

Hëna Arapi, fqinje e 54-vjeçarit Agur Vrenozi, ka qenë dëshmitare e ngjarjes së rëndë.

Gruaja tregon se ka parë tmerr me sy, teksa autorët hapën zjarr dhe lanë të plagosur Agurin. Askush nuk mund t’i dinte përmasat e kësaj ngjarjeje të rëndë, ndaj qytetarët më së shumti nxituan të largoheshin pa guxuar të ndërhynin.

Ju e njihnit mirë familjen dhe vetë Agurin. Ishit e pranishme kur ndodhi ngjarja?

Po, isha këtu. Ata janë futur në dyqan, por ne vetë nuk e pamë. Aguri erdhi këtu përpara dhe tha se ishin futur hajdutët në dyqanin e Gëzimit po ‘hajdeni çuna ta ndihmojmë’. Kështu bërtiti dhe kërkoi të angazhoheshin edhe njerëz të tjerë për ta ndihmuar Gëzimin me të shoqen. Ai kujtoi se i kishin armë lodra. Nuk mendoi se i kishin armë të vërteta, por sido që ishte, u bë gati të futej në grykën e zjarrit.

Çfarë ndodhi më tej?

Po ishte i përfshirë emocionalisht. Donte që ta shpëtonte kambistin. Mori karrigen dhe shkoi në dyqan ku u përplas me ta, duke e goditur njërin me karrige në kokë. Pas kësaj u bë rrëmujë dhe të dy grabitësit dolën nga dyqani. Në dalje ata qëlluan në drejtim të Agurit dhe ky ra në tokë pa lëvizur. Ne bërtitëm e kërkuam ndihmë. Ishin shumë njerëz aty që kërkonin ndihmë, por sa erdhi policia e ambulanca, Aguri humbi shumë gjak. Nuk reagonte fare.

Si e konsideroni këtë veprim të Agurit, ku në fakt mjaft qytetarë të tjerë nxituan të largoheshin?

Ai për mua është hero. Por nuk shtohet më këtu në këtë vend me këto lloje krimesh. Të të marrë jetën tjetri, jetën që ta ka dhënë Zoti, nuk ka krim më të madh se kaq. Është tragjike. Të jetë dikush në shtëpinë e vet e t’i shkojnë tjetrit t’i marrin mundin e djersën e tij apo edhe në rastin e djeshëm’ që ta vrasin tjetrin se mbron mallin e djersën e tij apo të mikut të tij. Vetëm këtu te ne ndodh kjo. Këtu s’ka vend për të qëndruar. Jemi të shokuar nga kjo. Kjo gjë është e tmerrshme. Jemi të terrorizuar nga kjo. Aguri ishte njeri i jashtëzakonshëm me të gjithë kuptimin e fjalës. Punonte, ishte intelektual, ai e mbante familjen. Më këpusin shpirtin fëmijët e tij se si qajnë. Djali i vogël vetëm 10 vjeç, derisa erdhi lajmi që vdiq i ati, shpresonte shumë. Çfarë faji kishte Aguri, çfarë faji kanë fëmijët e tij. Gruaja e tij humbi bashkëshortin, fëmijët babanë. Ata mbetën tani pa përkrahje se vetëm atë kishin. Nuk kemi fjalë për këtë ngjarje të rëndë. Një vajzë e ka në shkollë të lartë, dy të tjerë në gjimnaz këtu e tjetrin të vogël fare. Ata të tre, shteti t’i dënojë maksimalisht.

DESHMITARI

Nesat Ramushaj ishte një ndër dëshmitarët e ngjarjes së ndodhur dje në Fier. Ditën e ngjarjes ai u shpreh se ndonëse pronari i dyqanit thërriste për ndihmë, askush nuk u afrua ta ndihmonte përveç Agurit.

“Aguri, që është edhe pronari i kësaj godinës që i ka dhënë me qira dyqanin Gëzimit të valutës. Ai kalonte rastësisht këtej dhe kur e pa situatën, mori një karrige dhe e qëllon në kokë njërin nga ata. Unë isha pas Agurit dhe rashë menjëherë në tokë. Ashtu u ula se pata frikë se mos më kapte mua plumbi. Unë nisa të bërtas fort, “çohuni o popull se na vranë”, por askush nuk doli. U futën të gjithë nëpër dyqane. Ikën me vrap njerëzit nga frika. Ishte gjendje terrori. Ata kishin armë nëpër duar e i mbanin hapur”, u shpreh ai. /Panorama/