‘I kam rënë gjyshes nga dora kur isha i vogël’-Iriqi bisedon me Shpëtim Nazarkon

Iriqi: - Pse të quajnë Laçko?

Nazarko: - Nga që s’ma varin ndaj. Si p.sh kur i thonë korçarët dikujt Leckë. Por jam në siklet kur shkoj në Kosovë.

Iriqi: - Pse?

Nazarko: - Se ma transformojnë. Ku je, o Loqko,m a ndryshojnë.

Iriqi: - Si erdhe në gazetari?

Nazarko: - Unë isha ca vjet në Gjermani. Nuk ndrita gjë. M’u pasurua vetëm barku. Sa kulla Ejfel më vajti. Kur u bë sa i Finos më sugjeruan të merresha me media. Ke bark të madh dhe dukesh impozant, më thoshin. Po duhet tru, u thosha. E ja kështu, hyra dhe ia dola.

Iriqi: - Vetëm me bark?

Nazarko: - Me bark edhe me Ramë. Ai më thotë sulju këtij, sulju atij.

Iriqi: - Si punë zagari në gjueti.

Nazarko: - Zagarë janë të gjithë. Ja, bëje një provë. Thuaj që Edi ka thënë se bota nesër përmbyset. Kaq dhe sulemi ne. U themi të gjithëve se kjo është shkencore, do ndodhë patjetër. Edi e ka nga Merkel, ia ka thënë dhe Amerika. Pra jemi vegla të tij, mos hiqemi sikur kemi pavarësi e mendimin tonë. Do fakt tjetër. Ishim një duzinë gazetarësh që bëmë namin kur po prisheshin dy kangjella te presidenca e Nishanit. Po preket trashëgimia klithnim. Sot tha Rama dhe Lali Eri se do prishet Teatri Kombëtar e ne brohorasim të rrënohet sa më parë. Fol tani, jemi apo s’jemi altoparlantë të qeverisë. Bile jemi fare legenë, se kazan ai na e thotë me përkëdheli. Unë madje legen i shpuar.

Iriqi: - Mësova se kishe kërkuar që Rama të bëhet diktator. E vërtetë?

Nazarko: - Unë nuk jam budalla si Muçhi që e nxjerr Skënderbeun serb, apo që Kosovën e quan pjesë të Serbisë. Ai e bën se po i mbaron vaji i kandilit. Nuk ia var njeri e do harrohet shpejt. Ndaj thotë gomarllëqe, të tërheqë vëmendje. Unë jam ndryshe, them të vërteta.

Iriqi: - Të vërteta?

Nazarko: - Po. Rama na hiqet si demokrat. Unë e këshillova hiqu siç je, si diktator. Se i tillë është.

Iriqi: - Është?

Nazarko: - Po. A ka gjithë mediat të vetat? Edhe pordhën ia transmetojnë. Shyqyr që nuk urinon rrugëve se me çomage para do na e nxirrnin. A ka prokuroren e vet? Emrin kush do arrestohet ia nis ai me sms. A ka gjithë ndërtuesit në thes? A ka drejtësinë në dorë? A ka monopolet ? A ka...?

Edhe ajrin që thithim do na e japë me bombola “Made in Rama” Ja pse i thashë shfaqu si diktator, o njeri. Se ne si popull vdesim për njerëz që na shtypin, na vrasin, na sakatojnë, na varfërojnë.

Iriqi: - Po opinioni të dënoi. U mërzite?

Nazarko: - Unë nuk e çaj shumë kokën. Se kur kam qenë i vogël i kam rënë gjyshes nga dora. Sa u përplasa në dysheme më dolën trutë. Pata fat që gjyshja e kishte fshesën aty pranë. M’i mblodhi trutë shpejt e shpejt e i rregulloi në kokë. Qe atëherë turpin, ndrojtjen, skuqjen, nderin  as i njoh, as dua t’ia di.

Iriqi: - Vërtet?

Nazarko: - Kam një kërkesë.

Iriqi: - Folë!

Nazarko: - Dil pak nga ferra se dua te të tregoj diçka. Kam një dëftesë shkolle dhe nuk po e saktësoj prej 25 vitesh nëse e kam të fillores a të mesmes. Se nuk mbaj mend shkollën që kam kryer. S’e kujtoj për qamet, nga puna e truve kur i rashë gjyshes. Hajde, hidhi një sy! Dil shpejt se mos më dërgon diku i gjati të leh e të leh...