Turqia po shndërrohet në një tjetër Pakistan

Presidentit të Turqisë nuk i ka mbetur shumë për të bërë për ta prishur edhe më tej reputacionin e tij në Perëndim. Recep Tayyip Erdogan ka shtypur protestat paqësore në vend e jashtë, ka mbyllur gazeta, ka kërcënuar ushtarët amerikanë dhe i ka bërë kolektivisht kurdët “koka turku”. Por në fundjavë Erdogan ia doli të ulej edhe më poshtë.

Në një miting në Kahramanmaras, lideri turk ngjiti në skenë një vajzë 6-vjeçare që dridhej, të veshur me rroba ushtarake, dhe i tha se ajo do ta kishte për nder nëse do të vdiste si martire. Sikur po dëgjoje një terrorist. Këtë lloj abuzimi me fëmijët e presim nga fanatikët e Hamasit apo Hezbollahut. Erdogan megjithatë është lider i një aleati të rëndësishëm në NATO.

Turqia po fillon t’i ngjajë Pakistanit, një shtet në dështim të vëzhdueshëm, udhëheqja ushtarake e të cilit ka toleruar dhe zhvilluar një vizion të të Islamit politik thellësisht armiqësor karshi interesave amerikanë dhe perëndimorë.

Turqia nuk ka arritur ende në atë pikë. Ka ende një shumicë turqish që duan të hyjnë në BE. Ekonomia turke është më e fortë se ajo pakistaneze dhe bankat e saj më të besueshme. Dhe, ndryshe nga Pakistani, forca shtytëse për islamizimin e mëtejshëm të shoqërisë ka ardhur nga Erdogan, një lider i zgjedhur, jo nga ushtarakët. Në fakt, ushtarakët turq kanë qenë historikisht (deri në disa reforma të kohëve të fundit nga Erdogan) një forcë që minonte lidershipin e zgjedhur përmes puçeve, për të ruajtur traditën sekulare të themeluesit të Turqisë moderne, Kemal Ataturk.

Thënë kjo, Erdogan po ndjek modelin e Pakistanit në mënyrë shqetësuese, sipas Husain Haqqanit, ish-ambasadorit pakistanez në Washington. Haqqani, ish-gazetar, është në një pozicion unik për të vlerësuar këtë tendencë, sepse ai ka shkruar historinë më të mirë që tregon se si ushtarakët pakistanezë përqafuan fundamentalizmin islamik.

Në një intervistë, Haqqani tha se veprimet e Erdoganit të kujtojnë ato të diktatorit ushtarak të Pakistanit midis 1978 e 1988, Zia ul-Haq. Ashtu si Zia, Erdogani ka kryer reforma ligjore dhe sociale për islamizimin e mëtejshëm të shoqërisë. Në janar, për shembull, hartoi një plan të ri për derdhjen e parave nga buxheti në shkollat islamike.

"Erdogani ka marrë formulën pakistaneze të përzierjes së nacionalizmit të linjës së ashpër me besimin fetar”, thotë Haqqani. "Zia imponoi ligjet islamike përmes dekreteve, amendoi kushtetutën, margjinalizoi studiuesit dhe liderët sekularë dhe krijoi institucione për islamizimin që kanë mbetur edhe pas tij. Erdogan po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë në Turqi”.

Paralelja më e qartë me Pakistanin është qëndrimi i Turqisë karshi luftës në Siri. Në janar, Erdogan nisi një ofensivë të re kundër aleatëve kurdë të Amerikës në Afrin. Ndonëse turqit kanë punuar kundër regjimit të Damskut, gjatë javëve të para të kësaj ofensive ata u koordinuan realisht me kundërshtarët e hershëm në Siri.

Ky është një version më pak toksik se i pozicionimit më të gjerë të Pakistanit karshi luftës në Afganistan të udhëhequr nga SHBA. Atje, ushtria dhe shërbimet sekrete pakistaneze toleruan e shpesh inkurajuan një grup të njohur si Rrjeti Haqqani(s’ka lidhje me ambasadorin) që të bëhej një linjë jetike për talibanët afganë dhe terroristët e tjerë që sulmonin forcat amerikane dhe qeverinë e zgjedhur në Kabul. Në të njëjtën kohë, pakistanezët kanë qenë aleatë të rëndësishëm të SHBA në kohën e kryengritjes islamike kundër sovjetikëve në Afganistan dhe edhe në kohë më të vonshme, kundër elementëve të Al Kaedës që më 2001. Sigurisht, kur më në fund amerikanët arritën ta gjenin Osama bin Laden, ai jetonte në të njëjtin qytet ku është edhe akademia presitogjioze ushtarake e Pakistanit, Abbottabad.

Sërish, Turqia nuk ka rënë ende në këtë nivel. Por po shkon me kokën poshtë në këtë rrugë. Në vitet e parë të luftës civile në Siri pas 2011, kufiri i Turqisë me atë vend ishte një sitë për rekrutët e rinj të Shtetit Islamik që bashkoheshin me kalifatin jetëshkurtër në Raka. Edhe sot, Turqia mbetet një avanpost i rëndësishëm për Hamasin, grupi terrorist që drejton Gazën që më 2007.

Siç më tha këtë javë ish-ambasadori amerikan në Turqi, Eric Edelman: "Turqia nuk është bërë ende Pakistan, por nëse vazhdon në trajektoren ku e ka vendosur Erdogan, ekziston mundësia që të bëhet si Pakistani".

Kjo është sfida e madhe për Washingtonin sot. Megjithatë, deri tani, qeveria amerikane nuk i ka treguar Ankarasë “dashurinë e ashpër” të nevojshme për të ndaluar rrëshqitjen e Turqisë. Për shembull, vizita më e fundit në nivel të lartë, ajo e Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, muajin e kaluar, synoi të sillte pajtimin pas fushatës së Turqisë në Afrin dhe kërcënimit të kohëve të fundit të Erdoganit për t'i dhënë një “shuplakë otomane” Amerikës.

Ky lloj mendimi afatshkurtër është i kuptueshëm, por nuk i adresohet katastrofës me lëvizje të ngadaltë që po ndodh tani në Turqi. Këtu është e rëndësishme, më e pakta, t’i vihen ca kufinj Erdoganit e për t’i treguar se ai nuk mund të ruajë marrëdhënien aktuale me SHBA nëse përpiqet t'i dalë kundër. Një pikë e mirë nisjeje do të ishte t’i kërkoje Erdoganit të mos kërcënojë më ushtarët amerikanë.

Ndërkaq, ka shenja që Turqia dhe Pakistani po bëhen të afërt. Javën e kaluar, në një takim të Financial Action Task Force, organi ndërkombëtar kundër pastrimit të parave, ishte Turqia që ndihmoi kundër një lëvizjeje të SHBA për të futur bankat e Pakistanit në listën e të dyshuarve për financim terrorizmi. Duke parë drejtimin që ka marrë Turqia, duket se shpreson që një ditë Pakistani mund t’ia kthejë nderin.

Marrë nga Bloomberg.com-Përgatiti: SYRI.net